Shtetet e Bashkuara dhe Venezuela kanë rivendosur lidhjet ushtarake, më pak se një vit pas kapjes së liderit të atëhershëm të Venezuelës, Nicolás Maduro, nga forcat amerikane në Karakas.
Qeveria e përkohshme, e udhëhequr nga Delcy Rodríguez – ish-nënkryetare nën drejtimin e Maduros – nënshkroi të mërkurën një marrëveshje bashkëpunimi ushtarak me Sekretarin amerikan të Mbrojtjes, Pete Hegseth.
Deri më tani, janë bërë të ditura pak detaje rreth marrëveshjes, por Hegseth e theksoi se, brenda një viti, Venezuela ka kaluar “nga kërcënimi ynë më agresiv rajonal, në një partner sigurie bashkëpunues”.
Presidentja e përkohshme, Rodríguez, shprehu se kjo marrëveshje do të ndihmojë në përballimin e “kërcënimeve të përbashkëta”.
Bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve ishte ndërprerë në vitin 2005 nga Hugo Chávez, presidenti i atëhershëm i Venezuelës, i cili përfaqësonte krahun e majtë.
Chávez akuzoi se personeli ushtarak amerikan, që ishte dërguar në Venezuelë për të trajnuar homologët e tyre, kishte bërë komente denigruese ndaj qeverisë së tij.
Ai gjithashtu akuzoi zyrën ushtarake amerikane në Fuerte Tiuna se ishte “një organ i CIA-s… që komplotonte kundër qeverisë”.
Nën udhëheqjen e Nicolás Maduros, marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan edhe më tej, duke arritur në pikën më të ulët në fund të vitit të kaluar, kur SHBA-ja dyfishoi shpërblimin për informacione që do të çonin në kapjen e Maduros, duke e çuar atë në 50 milionë dollarë.
Më 3 janar, forcat amerikane e kapën atë gjatë një operacioni ushtarak.
Aktualisht, Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, ndodhen në paraburgim në Nju Jork, nën akuza për trafikim droge dhe komplot për të kryer tortura, akuza që ata i mohojnë.
Në fjalimin e tij të mërkurën në ambasadën amerikane në Karakas, Hegseth theksoi ndryshimin në marrëdhëniet midis dy vendeve që nga kapja e Maduros, duke thënë: “Është një nder i madh të jem këtu, si Sekretari i parë amerikan i Mbrojtjes në këtë shekull që shkel në Venezuelë.
E kuptoj plotësisht rëndësinë e këtij momenti”.
Ai shtoi se “vetëm një vit më parë, prania ime këtu, prania jonë këtu, do të konsiderohej e pamundur, pothuajse e paimagjinueshme”.
Hegseth përmendi gjithashtu një dalje publike të presidentit të atëhershëm, Maduro, e cila kishte zemëruar administratën Trump, duke thënë: “Fiks një vit më parë, i arratisuri dhe i akuzuari për narkoterrorizëm, Nicolás Maduro – njeriu që kaloi më shumë se një dekadë duke ua dorëzuar kufijtë dhe territorin e Venezuelës terroristëve nga e gjithë bota – qëndroi në një skenë, jo shumë larg këtej, dhe bërtiti me tallje: ‘Ejani e më kapni!’.
Epo, ne iu përgjigjëm asaj thirrjeje”.
Hegseth përfundoi duke thënë se rezultati i ndërhyrjes ushtarake amerikane më 3 janar ishte pikërisht ashtu siç e kishte parashikuar Maduro, duke cituar fjalët e tij: “Jo luftë, po paqe”.
Ai e përshkroi marrëveshjen e nënshkruar si një “kapitull të ri për Shtetet e Bashkuara, për Venezuelën, për ushtrinë venezuelase dhe për Hemisferën Perëndimore, përmes Koalicionit të Amerikave Kundër Karteleve”.

