E ardhmja e Edon Zhegrovës te Juventusi po bëhet gjithnjë e më e paqartë, ndërsa interesimi për yllin e Kombëtares së Kosovës po rritet nga disa kampionate evropiane dhe nga Arabia Saudite.
Sipas informacioneve të fundit, Al Ittihad ka rikthyer interesimin për transferimin e 27-vjeçarit dhe tashmë po përgatit një ofertë konkrete për ta bindur Juventusin që ta lejojë largimin e tij në afatin kalimtar të janarit.
Klubi saudit e kishte monitoruar Zhegrovën që nga përfundimi i sezonit të kaluar, ndërsa gjatë verës kishte tentuar ta transferonte, por pa arritur marrëveshje.
Situata mund të jetë ndryshe në janar, pasi edhe Juventusi është i gatshëm të shqyrtojë shitjen e futbollistit kosovar.
Vetë Zhegrova thuhet se është i hapur për largim nga Torino, për shkak të minutazhës së kufizuar që ka pasur këtë sezon.
Al Ittihad po përgatit një ofertë prej rreth 15 milionë eurosh për kartonin e tij, shumë me të cilën synon ta bindë klubin italian për transferimin, raporton Tuttojuve.
Zhegrova ka kontratë me Juventusin deri në verën e vitit 2030, por kjo nuk duket se do ta pengojë largimin e tij nëse palët arrijnë marrëveshje.
Përveç Al Ittihadit, interesim për shërbimet e tij kanë shfaqur edhe klube nga Turqia dhe Franca, të cilat po e përcjellin nga afër situatën e futbollistit.
Pavarësisht minutave të pakta në fushë, Zhegrova ka arritur të kontribuojë me dy gola dhe dy asistime në nëntë paraqitje në Serie A.
Në të gjitha këto ndeshje, ai është aktivizuar nga banka rezervë.

