Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur optimizmin e tij për organizimin e Lojërave Mesdhetare ‘Prishtina 2030’, por gjithashtu ka pranuar se ekzistojnë shqetësime për realizimin e këtij projekti për shkak të mungesës së unitetit dhe bashkëpunimit ndërmjet institucioneve.
Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku po diskutohej situata rreth organizimit të kësaj ngjarjeje të madhe sportive, Kurti kritikoi Komunën e Prishtinës për mungesën e bashkëpunimit, ndërsa vlerësoi pozitivisht komunikimin me Komitetin Olimpik të Kosovës (KOK).
Ai theksoi se mungesa e unitetit të brendshëm ka sjellë vendin në një situatë ku tashmë është vënë në pikëpyetje organizimi i Lojërave Mesdhetare. “Ne duhet të jemi unik për këtë gjë dhe kjo mungesë e unitetit të brendshëm na ka sjellë në këtë pikë ku edhe po rrezikohet organizimi i Lojërave Mesdhetare 2030.
Unë vazhdoj të jem optimist, por natyrisht jam optimist i përmbajtur për shkak se kush bën mirë nuk e ka të lehtë të bashkëpunojë me dikë që e bën të kundërtën dhe në këtë aspekt, bashkëpunimi e komunikimi ynë me Komitetin Olimpik të Kosovës ka qenë tejet i mirë, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Komunën e Prishtinës prandaj edhe ndodhemi në këtë situatë.” Ai gjithashtu theksoi se është një arritje e madhe që Kosova ka marrë përgjegjësinë për organizimin e Lojërave Mesdhetare me dhjetë komuna të Kosovës dhe një komunë në Shqipëri, Durrësin. “Planifikimi për investime, libri me të cilin kemi aplikuar e kemi fituar, duhet të zbatohet në plotni.
Këtu ka pasur dallime e mospajtime ka edhe mosbesime dhe kjo është situata në të cilën ndodhemi.
Do ta bëjmë më të mirën e mundshme, pra do ta bëjmë me çdo kush pa korrupsion, kjo është tejet e rëndësishme për ne,” tha Kurti.
Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’ janë paraparë të mbahen nga 24 korriku deri më 4 gusht 2030 dhe organizimi i tyre është një nga projektet më të rëndësishme sportive për Kosovën.
Përveç Prishtinës, në organizim janë të përfshira edhe dhjetë komuna të tjera të Kosovës, si dhe Durrësi i Shqipërisë, ku parashihet të zhvillohen garat e sportit të lundrimit.
Megjithatë, projekti ka hasur vështirësi dhe mosmarrëveshje ndërmjet institucioneve përgjegjëse, duke ngritur shqetësime për përmbushjen e obligimeve organizative dhe financiare para Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare.

