Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, ka uruar qytetarët me rastin e Ditës së Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Hamza theksoi se Kushtetuta përbën aktin më të lartë juridik të shtetit, mbi të cilin mbështetet rendi demokratik dhe garantohet mbrojtja e të drejtave të çdo qytetari. ‘Kushtetuta mbetet udhërrëfyesi ynë për ndërtimin e një shteti ligjor, të drejtë dhe të barabartë’, është shprehur kreu i Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai, po ashtu, theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të plotë të Kushtetutës në çdo rrethanë. ‘Në këtë ditë të rëndësishme, riafirmojmë përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për respektimin dhe mbrojtjen e këtij akti në çdo kohë dhe rrethanë.
Gëzuar Dita e Kushtetutës’, përfundoi Hamza.
