Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka dhënë një raport para Komisionit Hetimor lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ai është pyetur për masat e marra nga Komuna, bashkëpunimin me Qendrën për Punë Sociale (QPS), ankesat e viktimës dhe raportet me Policinë.
Muhaxheri informoi se mbledhjet e bordit të drejtorëve mbahen çdo të hënë, ku trajtohen edhe rastet e dhunës në familje. “Prandaj, për dhunën në familje, rreth masave të ndërmarra në mbrojtje të viktimës, ne i mbajmë mbledhjet çdo të hënë të bordit të drejtorëve.
Edhe në kuadër të kësaj ideje, të këtij mbledhje, kur ndodh ndonjë rast, ato vijnë me u anku.
Ne i kemi pasur dy raste që kanë ndodhur shumë më të rënda se ky rasti i cili ka ndodhur, edhe njëra prej tyre është hala rast i rëndë dhe trajtohet ende”, tha Muhaxheri.
Gjatë raportimit, ai u pyet nëse kishte pasur një ankesë nga e ndjera Arlinda Zekaj dhe nëse ajo ishte detyruar ta fshinte.
Muhaxheri mohoi këto pretendime, duke shpjeguar se avokatja e Arlindës kishte parashtruar tri ankesa në Komunë dhe një në ministri. “Nuk është ashtu qysh po thu ti.
Avokatja e të ndjerës i ka bërë tri ankesa në komunë, edhe një në ministri.
Ankesat i janë drejtuar drejtorisë së administratës, shefit të personelit dhe kryetarit të komunës.
Ne e kemi trajtuar këtë rast, edhe shefja e QPS-së i është drejtuar ministrisë dhe rasti u mbyll.
Jo me ankesë, po avokatin e të ndjerës duhet me e pyet, ajo e ka tërhequr në ministri ankesën, se ka qenë e pabazë, në postë, në donacione, në postë të emailit”, deklaroi ai.
Kryetari i Pejës gjithashtu u pyet për nivelin e bashkëpunimit me Policinë e Kosovës, duke thënë se ka pasur një bashkëpunim të mirë dhe se gjatë 12 viteve në krye të komunës nuk ka ndërhyrë në përzgjedhjen e drejtorit të Stacionit Policor në Pejë. “Bashkëpunimi im ka qenë i mirë me ta edhe pse kryetarët e komunave të tjera kërkojnë me qenë të involvuar, për 12 vjet nuk kom ndiku se kush ka me qenë drejtor i stacionit të policisë në Pejë”, tha Muhaxheri.
Arlinda Zekaj u vra në mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës, ndërsa i dyshuar për vrasjen e saj është kunati i saj.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

