Princi Harry ka shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer në shërbimin ushtarak nëse vendi i tij do të kishte nevojë për të, duke theksuar se kërcënimi nga Rusia është një arsye për të cilën të gjithë duhet të shqetësohen.
Në një intervistë ekskluzive gjatë një vizite të papritur në qytetin ukrainas të Lvivit, Duka i Sussex-it tha se ish-pjesëtarët e forcave të armatosura duhet të jenë të gatshëm të shërbejnë sërish vendit të tyre. “Duhet të jemi të gjithë të shqetësuar, absolutisht.
Dhe mendoj se duhet të jemi të përgatitur.
Ata prej nesh që kanë shërbyer duhet të jenë të gatshëm të shërbejnë përsëri”, shprehu ai.
Harry theksoi se, nëse do t’i kërkohej të rikthehej në ushtri, do ta bënte këtë pa hezitim. “Nëse do të më kërkohej të regjistrohesha përsëri dhe nëse do të kishte nevojë, atëherë do të isha 100 për qind aty për t’i shërbyer vendit tim, krah veteranëve dhe pjesëtarëve të tjerë të forcave të armatosura”, deklaroi princi.
Duka i Sussex-it, i cili shërbeu për një dekadë në ushtrinë britanike dhe realizoi dy misione në Afganistan si pilot i helikopterëve Apache, e përfundoi karrierën e tij ushtarake në vitin 2015.
Gjatë intervistës, ai diskutoi gjithashtu për luftën në Ukrainë, duke lavdëruar qëndrueshmërinë e vendit dhe duke theksuar se Evropa është më e ndërgjegjshme për kërcënimin nga Rusia.
Sipas tij, Britania dhe vendet e tjera nuk duhet ta shohin veten jashtë konfliktit vetëm pse nuk përballen drejtpërdrejt me sulme ushtarake. “Vetëm pse nuk ka dronë, plumba dhe raketa që po fluturojnë drejt nesh, nuk do të thotë se nuk jemi në luftë”, tha ai.
Duka i Sussex-it shprehu gjithashtu shqetësimin se Evropa mund të përçahet nga brenda dhe bëri thirrje për rritjen e mbështetjes ndaj Ukrainës, në vend të zvogëlimit të saj.
Gjatë kësaj vizite, Harry mori pjesë në aktivitetet përzgjedhëse të ekipit ukrainas për Lojërat Invictus 2027, të cilat do të mbahen në Birmingham të Britanisë së Madhe.
Ai theksoi gjithashtu nevojën për mbështetje të veteranëve pas përfundimit të shërbimit ushtarak, duke njoftuar se po punon për një projekt global që synon t’u ofrojë atyre më shumë mundësi punësimi dhe të vërë në pah përvojën dhe aftësitë që kanë fituar gjatë shërbimit.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com

