Barcelona ka marrë një sinjal pozitiv në përpjekjet e saj për të transferuar mbrojtësin e Interit, Alessandro Bastoni, ndërsa e ardhmja e tij në “San Siro” vazhdon të jetë e paqartë.
Sipas gazetarit italian Pasquale Guarro, Interi dhe përfaqësuesit e Bastonit kanë zhvilluar së fundmi një takim, por pa hyrë në negociata konkrete për rinovimin e kontratës.
Të dyja palët thuhet se kanë vendosur të presin për të parë ofertat që mund të vijnë për mbrojtësin para se të marrin një vendim për të ardhmen.
Kontrata aktuale e 27-vjeçarit me klubin italian skadon në qershor të vitit 2028, që do të thotë se Interi ende ka kohë për ta bindur të vazhdojë bashkëpunimin.
Megjithatë, mungesa e përparimit në bisedimet për një marrëveshje të re ka bërë që mundësia e largimit të tij të rikthehet në qendër të vëmendjes.
Barcelona është një nga klubet që e vlerëson shumë profilin e mbrojtësit italian dhe nuk e ka hequr nga lista e objektivave për përforcimin e repartit defensiv.
Drejtuesit katalunas e kishin shqyrtuar seriozisht mundësinë e transferimit të tij edhe gjatë afatit kalimtar të verës, por kërkesat financiare të Interit e vunë në vështirësi realizimin e marrëveshjes.

