Vincent Kompany do të rikthehet zyrtarisht në bankinën e Bayern Munichut të premten mbrëma, gjatë ndeshjes së Bundesligës ndaj Kolnit.
Kjo ndodh pasi ai ka kaluar me sukses problemet shëndetësore që e mbajtën larg skuadrës në fund të tetorit.
Lajmin e ka konfirmuar drejtori ekzekutiv i klubit bavarez, Jan-Christian Dreesen, i cili theksoi se trajneri belg është shëruar plotësisht nga meningjiti dhe ka kryer edhe një ndërhyrje kirurgjikale në shpatull.
Në një bisedë me gazetën gjermane Abendzeitung, kur u pyet nëse Kompany do të jetë në vijën e fushës për përballjen e xhiros së dhjetë në Allianz Arena, Dreesen dha një përgjigje pozitive. “Po.
Vincenti është në disponim shumë të mirë dhe sot më përshëndeti.
Meningjiti është shëruar.
Ai tashmë i është nënshtruar edhe operacionit në shpatull.” Për më tepër, Bayern Munich kishte njoftuar më herët se 40-vjeçari do të merrte pjesë edhe në konferencën për shtyp para ndeshjes, të enjten, ku do të ishte i gatshëm t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve.

