Rrjeti i Grave të Kosovës (RRGK) ka publikuar një raport me titull “Me çfarë çmimi?
Vlerësimi i kostove të shërbimeve të specializuara për adresimin e dhunës me bazë gjinore”.
Drejtoresha ekzekutive e Rrjetit, Nicole Farnsworth, theksoi se femicidi dhe vrasja e grave vazhdojnë të jenë fenomenet jashtëzakonisht serioze.
Ajo nënvizoi se faktorët që mundësojnë dhunën janë sistemikë dhe lidhen me dështimet e shoqërisë dhe institucioneve.
Farnsworth shprehu nevojën për përmirësimin e sistemeve shoqërore, institucionale dhe buxhetore për të parandaluar dhunën dhe për të mbrojtur gratë. “Femicidi, vrasja e grave, vazhdon të mbetet një fenomen jashtëzakonisht serioz. Çdo grua është e ndjeshme dhe duhet të mbrohet duke e bazuar në situatën dhe nevojat e saj specifike.
Por faktorët që e mundësojnë dhunën nuk janë unikë.
Ata janë sistemikë.
Bëhet fjalë për dështimet sistematike të shoqërisë dhe institucioneve tona.
Normat gjinore të përforcuara përmes socializimit, të cilat përcaktojnë se si duhet të sillen gratë dhe burrat, krijojnë një mjedis që mundëson ushtrimin e dhunës”, tha ajo.
Ajo shtoi se Rrjeti i Grave të Kosovës, që nga viti 2000, ka punuar për të adresuar këto dështime sistemike dhe se raporti i ri tregon për nevojat për ndryshime ligjore dhe politike.
Rita Glavitza, shefja e Zyrës së Agjencisë Austriake Koordinuese në Kosovë, theksoi mbështetje për barazinë gjinore dhe parandalimin e dhunës.
Ajo theksoi se raporti vjen në një moment kritik dhe se ligjet dhe strategjitë nuk janë të mjaftueshme pa burime financiare. “Ky raport vjen në një moment shumë kritik.
Ai na rikujton se vetëm ligjet, strategjitë dhe zotimet nuk janë të mjaftueshme.
Matësi i vërtetë i përkushtimit tonë është nëse të mbijetuarat e dhunës mund të kenë realisht qasje në mbrojtjen dhe mbështetjen që u nevojitet”, tha Glavitza.
Blerim Shabani, drejtori i Departamentit për Politika Sociale, përmendi përmirësimin e financimit për shërbimet sociale, duke theksuar se nga 900 mijë euro në vitin 2020, kjo shumë ka arritur në 2.5 milion euro deri në vitin 2024.
Ai theksoi se këto mjete janë të dedikuara për shërbime sociale, përfshirë ato për fëmijët dhe grupet e tjera të cenueshme.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

