Nico Paz ka vendosur të vazhdojë aventurën e tij te Como edhe këtë sezon, duke e refuzuar mundësinë për t’u rikthyer te Real Madridi.
Kjo ka ndodhur për shkak të frikës se nuk do të kishte hapësirën e nevojshme për të luajtur rregullisht.
Gazetarja e “Radio Marca” Tenerife, Selene Melian, ka zbuluar se vendimi për të qëndruar në Itali ishte tërësisht i mesfushorit argjentinas.
Ajo tha se 21-vjeçari preferoi të vazhdonte zhvillimin nën drejtimin e Cesc Fabregasit, duke pasur garanci për një rol të rëndësishëm në skuadër. “Informacioni që kemi dhe që e di personalisht është se Nico Paz ishte ai që vendosi të qëndronte te Como këtë vit,” deklaroi Melian në emisionin “La Tribu”. “Unë e njoh Nico Pazin dhe familjen e tij, prandaj e di për çfarë po flas”.
Sipas Melian, konkurrenca e madhe në mesfushën e Real Madridit do ta bënte të vështirë përfshirjen e rregullt të argjentinasit, ndërsa te Como ai ka mundësinë të jetë një prej lojtarëve kryesorë. “Natyrisht që Nico Paz dëshiron të luajë një ditë për Real Madridin, por këtë vit ai kishte garanci absolute se do të luante rregullisht me Cesc Fabregasin,” përfundoi ajo.
Ajo gjithashtu foli për vendimin e Pazit për të përfaqësuar Argjentinën dhe jo Spanjën.
Gazetarja rikujtoi një intervistë të babait të tij për Radio MARCA Tenerife, kur Javier Mascherano e kishte ftuar për herë të parë mesfushorin në Kombëtaren U20 të Argjentinës.
Sipas saj, Federata Spanjolle e Futbollit nuk kishte kontaktuar asnjëherë me lojtarin, ndaj ai nuk kishte pasur nevojë të zgjidhte mes dy përfaqësueseve.

