Portieri i Kosovës, Arijanet Murici, ka marrë vlerësim nga mediumi italian “Sassuolonews” pas humbjes 3-0 të kombëtares sonë në udhëtim ndaj Republikës së Irlandës.
Murici, i cili kishte qëndruar në stol gjatë ndeshjes me Izraelin në Prishtinë, u rikthye në formacionin titullar për sfidën në Dublin.
Edhe pse pësoi tre gola, mediumi që ndodhet afër klubit të tij, Sassuolon, vlerëson se rezultati nuk e pasqyron plotësisht paraqitjen e portierit kosovar. “Rezultati nuk përshkruan plotësisht performancën e Muricit”, shkruan “Sassuolonews”, duke veçuar disa ndërhyrje të tij gjatë ndeshjes.
Sipas mediumit italian, Murici bëri disa pritje të rëndësishme, por e pati të vështirë të përballonte presionin e Irlandës, sidomos pasi Kosova luajti me një futbollist më pak për më shumë se një orë, pas përjashtimit të Kreshnik Hajrizit.
Megjithatë, në analizën e tyre përmendet edhe aksioni i penalltisë së dytë, si një moment që la një njollë në paraqitjen e portierit. “Portieri kosovar pagoi çmimin për mënyrën se si reagoi në gjuajtjen e Molumbyt dhe kontaktin pasues me Parrott”, thuhet në vlerësimin e mediumit italian.

