Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, ka reaguar pas vizitës së Jakup Krasniqit në familjen e tij në Kosovë.
Gucati e ka quajtur turp që Krasniqit nuk i është lejuar të vizitojë as vëllanë e tij dhe askë tjetër jashtë familjes së ngushtë. “Ka dhimbje që nuk shkruhen dot me fjalë, por ka të vërteta që britma e ndërgjegjes nuk guxon t’i heshtë. Është më se e rëndë, është turp i kohës dhe padrejtësi therëse të shohësh një njeri si Baca Jakup Krasniqi, burrin e dijes, të pushkës, të pendës dhe të burrërisë, të mos jetë i lirë në tokën e tij, pranë vatrës që e fali të tërën për këtë liri që sot gëzojmë.
Të mos i lejohet të takojë lirisht as vëllain e tij në vendin për të cilin ai fali rininë, djersën dhe çdo grimë të jetës.
Cila drejtësi njerëzore apo ndërkombëtare e arsyeton këtë mizori shpirtërore?”, ka shkruar Gucati.
Ai ka thënë se bashkëshortja e Krasniqit ka bartur mbi supet e saj të gjithë stuhitë e historisë. “Në krah të tij, e fortë si Kulla e Llapushnikut, qëndron Zonja Sevidije, një grua fisnike, simbol i qëndresës madhështore, e cila bashkë me Bacën Jakup ka bartur mbi supe stuhitë më të rënda të historisë sonë më të re.
Sevdijes i urojm shërim sa më të shpejt, duke e pritur bacen Jakup në liri e fortë me shëndet si çdo herë.
Ata që dhanë gjithçka nga jeta e tyre për lirinë e Kosovës, sot përballen me një cinizëm të pashpirt që u mohon edhe ngrohtësinë më elementare familjare.”, ka thënë ai.
Kreu i veteranëve ka thënë se Jakup Krasniqi ka hyrë në histori si burrë shteti e idealist i pastër. “Prangat fizike nuk mund ta errësojnë dot pastërtinë e rrugës së tij, por dënimi më i madh nuk i bëhet atij, i bëhet vetë ndërgjegjes sonë kolektive, nëse heshtim përpara këtij persekutimi.
Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar, por krenaria dhe dinjiteti i Bacës Jakup dhe Zonjës Sevidije nuk gjunjëzohen kurrë.
Liri për shtyllat e kombit!”, përfundon shkrimi i tij.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

