Propozimi për Pezullimin e Partisë Përparimtare Serbe nga EPP: Çfarë Nënkupton Kjo?

0
2
- Advertisement -

Kryesia e Partisë Popullore Evropiane (EPP), grupi më i madh politik në Evropë, ku bën pjesë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ka propozuar pezullimin e Partisë Përparimtare Serbe (SNS) të Aleksandar Vuçiqit.

Ky propozim do të shqyrtohet në Asamblenë Politike të EPP-së, më 7 dhe 8 dhjetor, në Bruksel.

Nëse miratohet, SNS do të humbasë të gjitha të drejtat e anëtarësimit në këtë organizatë, përfshirë të drejtën e votës dhe pjesëmarrjen në vendimmarrje.

Megjithatë, SNS-së do t’i jepet një afat prej një viti për të përmbushur shtatë kushtet e vendosura nga EPP-ja.

Në rast se dështon, partia mund të përjashtohet plotësisht nga kjo familje politike evropiane, e cila e pranoi atë në vitin 2016.

Ky propozim vjen pas një procesi 14-mujor verifikimi për të parë nëse SNS-ja respekton vlerat dhe parimet themelore të EPP-së.

- Advertisement -

Procedura kishte nisur në shtator të vitit 2025, dhe pakënaqësitë ndaj partisë së Vuçiqit janë rritur për shkak të qëndrimeve të saj ndaj krimeve të luftës, Rusisë dhe institucioneve demokratike.

Cilat janë kushtet që duhet të përmbushë partia e Vuçiqit?

Sipas informacioneve jozyrtare, ndër kushtet e vendosura për SNS-në janë shkëputja nga trashëgimia e politikës së Serbisë së Madhe të kohës së Sllobodan Millosheviqit, ndalimi i glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe ndalimi i mohimit të gjenocidit në Srebrenicë.

EPP-ja gjithashtu kërkon që SNS-ja të harmonizojë politikën e saj të jashtme me qëndrimet e përbashkëta të Bashkimit Evropian, të ndalojë mbështetjen për politikat e presidentit rus, Vladimir Putin, si dhe të bashkëpunojë me autoritetet e reja në Serbi për një transferim paqësor të pushtetit.

Partisë së Vuçiqit i kërkohet gjithashtu të ndalojë cenimin e lirisë së mediave, ndërsa EPP-ja ka shprehur shqetësime për korrupsionin dhe lidhjet me krimin e organizuar.

Lista e plotë e kushtet ende nuk është bërë publike.

Propozimin e ka përshëndetur Karlo Ressler, drejtues i delegacionit të HDZ-së në Parlamentin Evropian, i cili theksoi se ky vendim është në përputhje me kërkesat që partia e tij i ka bërë prej vitesh.

Ressler nënvizoi se vlerat e EPP-së janë të papajtueshme me politikanët që glorifikojnë kriminelët e luftës dhe mbështesin agresionin rus.

EPP-ja e nisi verifikimin e brendshëm të SNS-së në shtator të vitit 2025, për shkak të shqetësimeve lidhur me gjendjen e demokracisë në Serbi dhe trajtimin e protestuesve.

Pas varrimit të Ratko Mlladiqit, presioni ndaj partisë së Vuçiqit u shtua.

Politico raportoi se EPP-ja mund të vendoste për të ardhmen e SNS-së në takimin e dhjetorit, duke shqyrtuar dy mundësi: vendosjen e kushteve për vazhdimin e anëtarësimit ose përjashtimin e plotë të partisë.

Propozimi aktual tregon se është zgjedhur mundësia e parë, por me pezullimin e të drejtave të anëtarësimit.

Ky pezullim do të thotë se SNS do të vazhdojë të jetë e lidhur me EPP-në, por nuk do të ketë të drejtë të merrte pjesë në vendimmarrje.

Vendimi përfundimtar do të merret nga Asambleja Politike e EPP-së më 7 dhe 8 dhjetor në Bruksel.

- Advertisement -

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here