Durim Kelmendi, udhëheqësi i Qendrës për Punë Sociale në Pejë, ka njoftuar se në rastin e Arlinda Zekajt ka munguar plani individual, një dokument i kërkuar me ligj për menaxhimin e rasteve.
Gjatë dëshmisë së tij para Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me veprimet dhe mosveprimet institucionale në lidhje me vrasjen e Arlinda Zekajt dhe trajtimin e dhunës ndaj fëmijëve dhe grave në familje, Kelmendi është pyetur nga anëtari i komisionit, Adnan Rrustemi, për ekzistencën e planit individual për këtë rast. “Ju e mbikëqyrni menaxherin e rastit?
A kërkon ligji që të ketë plan individual për rastin?
A ka pasur për rastin konkret?” ka pyetur ai.
Kelmendi u përgjigj se ligji e kërkon një plan të tillë, por në këtë rast ai kishte munguar. “Po kërkon.
Për rastin konkret ka munguar plani”, tha ai.
Anëtarja e komisionit nga PDK-ja, Besa Bytyqi, e pyeti Kelmendin për arsyet pse rasti i të miturit kishte përfunduar në Qendrën për Punë Sociale dhe nëse brenda institucionit kishte procedura për mbikëqyrjen e rasteve të dhunës në familje. “Rasti i të miturit për çfarë arsyeje ka përfunduar në QPS?
A ka qenë rast i dhunës në familje?
A keni ndonjë procedurë ku mbikëqyrni?” pyeti ajo.
Kelmendi tha se rasti ishte raportuar si dhunë në familje dhe se vlerësimi i nivelit të rrezikshmërisë bëhet nga Policia. “Rasti kur ka ndodhur është raportuar si dhunë në familje.
Në nivelin e rrezikshmërisë e vlerëson policia. Çdo informatë mund të bashkangjitet si provë.
Mbetet në vullnetin e punëtorit”, tha ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

