Futbollisti shqiptar Brajan Gruda po kalon një fillim të jashtëzakonshëm të karrierës me Kombëtaren e Gjermanisë.
Ai e shfrytëzoi në mënyrën më të mirë mundësinë e dhënë nga përzgjedhësi Jurgen Klopp, duke shkëlqyer që në debutimin e tij dhe duke vazhduar me paraqitje edhe më mbresëlënëse në ndeshjen e dytë.
Gruda, 22-vjeçar, debutoi më 13 nëntor në fitoren 3-1 të Gjermanisë ndaj Serbisë, në kuadër të Ligës së Kombeve.
Ai ishte titullar dhe shënoi golin e tretë të gjermanëve në minutën e 50-të, pas një aksioni individual fantastik.
E mori topin në gjysmën e fushës, përshkoi një distancë të gjatë duke kaluar disa kundërshtarë dhe e përfundoi aksionin me një goditje të saktë në portë.
Në paraqitjen e dytë, më 16 nëntor, Gruda ishte sërish titullar në fitoren bindëse 5-0 ndaj Holandës.
Këtë herë ndikimi i tij ishte edhe më i madh: shënoi një gol dhe regjistroi dy asistime.
Fillimisht asistoi për Nico Schlotterbeckun nga një goditje dënimi, më pas për Florian Wirtzin me një pasim të shkëlqyer, ndërsa në minutën e 77-të shënoi vetë pas një topi të kthyer nga shtylla.
Me dy gola dhe dy asistime në dy paraqitjet e tij të para me Gjermaninë, Gruda ka lënë gjurmë të menjëhershme në ekipin kombëtar.
Paraqitjet e tij nuk kaluan pa u vënë re nga emra të mëdhenj të futbollit gjerman.
Përzgjedhësi Jürgen Klopp e vlerësoi si një talent të jashtëzakonshëm, duke theksuar aftësitë individuale të futbollistit.
Pas ndeshjes me Serbinë, Klopp tha: “Kemi Derry Scherhant dhe Brajan Gruda, dhe Zoti im, ata të dy dinë vërtet të luajnë futboll!
Por sasia e punës që bënë dhe ajo që duhej të bënin sot, ishte absolutisht e jashtëzakonshme.” Trajneri vlerësoi se Gruda ndonjëherë tenton të driblojë më shumë seç duhet, por theksoi se nuk dëshiron t’ia kufizojë këtë cilësi.
Ai vlerësoi mënyrën se si Gruda alternon lojën e thjeshtë me aksionet individuale dhe merr përsipër rrezikun për të krijuar epërsi.
Edhe legjenda e futbollit gjerman Bastian Schweinsteiger foli me superlativa për Grudën.
Ai e përmendi në një koment për ARD-në si një lojtar të nivelit botëror. “Është një ëndërr të kesh në skuadër futbollistë si Wirtz, Scherhant apo Gruda.
Ata janë lojtarë që bëjnë diferencën.
Ky i fundit është i nivelit botëror,” deklaroi Schweinsteiger.
Ndërkohë, trajneri i RB Leipzigut, Martín Demichelis, u ndal te një aspekt tjetër i zhvillimit të Grudës, puna pa top dhe kontributi në fazën mbrojtëse.
Ai theksoi se futbollistit i është dashur kohë për të kuptuar rëndësinë e ndjekjes së kundërshtarëve dhe rikuperimit të topit, por tani po e kupton kënaqësinë që sjell kjo për të, ekipin dhe tifozët. “Brajanit i duhej pak kohë para se të fillonte të ndiqte topat dhe kundërshtarët, siç bëri kundër Schalke ose Augsburgut,” tha Demichelis. “Tani ai e ndjen sa mirë është për të, për ekipin dhe për tifozët kur e fiton përsëri topin.
Kjo është gjithashtu pjesë e zhvillimit të tij,” përfundoi ish mbrojtesi argjentinas.
Nga një debutim me gol, te një paraqitje me një gol dhe dy asistime, Gruda ka bërë që emri i tij të jetë në qendër të vëmendjes në futbollin gjerman.

