Boksieri irlandez Lee Reeves ka ndërruar jetë në moshën 31-vjeçare, tre muaj pas lëndimeve të rënda që pësoi gjatë një meçi në Dublin.
Lajmi i hidhur është konfirmuar nga kompania e tij promovuese, Queensberry, që bëri të ditur se boksieri nuk arriti të mbijetojë pasojave të lëndimeve të marra në ring.
Reeves u përball me bashkëkombësin Gary Cully më 1 gusht në duelin për titullin vakant BUI Celtic në kategorinë light-welterweight, i cili u zhvillua në palestrën “3Arena” në Dublin. 31-vjeçari pësoi nokaut në raundin e dhjetë, dhe pas përfundimit të meçit u nxor nga ringut me barelë dhe u dërgua menjëherë në spital.
Gjendja e tij u cilësua fillimisht si kritike, por stabile.
Ai iu nënshtrua një operacioni dhe që nga ajo kohë kishte qëndruar në koma të induktuar nga ana mjekësore.
Trajneri dhe miku i tij, Jonathan O’Brien, publikoi një mesazh prekës në rrjetet sociale, duke kujtuar luftën e madhe të boksierit për jetën. “Lamtumirë bir, pusho i qetë.
Luftove aq shumë deri në fund.
Të duam shumë.
Pusho në paqe me nënën dhe vëllain tënd që të presin në portat e parajsës.
Kujdesu për motrat dhe babanë tënd, jepu forcë për ta përballuar këtë dhimbje.
Të duam, Lee”, shkroi O’Brien.
Reeves, i njohur me nofkën “El Champo”, e kishte nisur karrierën si boksier profesionist në vitin 2018.
Gjatë karrierës së tij, ai zhvilloi 18 meçe, duke regjistruar 16 fitore.
Një pjesë të madhe të fillimit të karrierës e kaloi duke boksuar në Kanada dhe Kolumbi, para se të fitonte vëmendje me paraqitjet e tij në Britani të Madhe dhe Irlandë.

