Irani ka njoftuar se ushtria amerikane ka realizuar disa sulme ajrore në ishullin Qeshm, në jug të vendit.
Gjatë së martës, së paktën pesë anije janë goditur nga mina detare në Ngushticën e Hormuzit.
Zyrtarët iranianë raportuan se sulmet amerikane u zhvilluan në mbrëmje, ndërsa banorët dëshmuan për të paktën pesë shpërthime në zonë.
Ahmad Nafisi, zëvendësguvernatori i provincës Hormozgan, deklaroi për agjencinë zyrtare të lajmeve IRNA se sulmet amerikane nuk shkaktuan dëme në zonat e banuara apo ato tregtare. “Situata në ishullin Qeshm është nën kontroll dhe të gjitha strukturat e emergjencës, shërbimeve dhe administratës janë në gatishmëri të plotë”, tha ai.
Agjencia IRNA raportoi se në qytetin Qeshm u dëgjuan “pesë deri në gjashtë shpërthime”.
Ndërkohë, agjencia gjysmëzyrtare Fars, duke cituar banorë të ishullit, njoftoi se disa shpërthime u dëgjuan në veriperëndim të qytetit, ndërsa në të njëjtën kohë u pa tym që ngrihej në qiell.
Zyrtarë amerikanë konfirmuan se mbrëmjen e së martës, avionët luftarakë të SHBA-së kishin goditur pozitat e lëshimit të raketave iraniane në ishull.
Sipas tyre, këto sulme janë pjesë e një strategjie të ngjashme me ato të ditëve të mëparshme dhe janë ndërmarrë si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane ndaj personelit dhe aseteve amerikane.
Sulmet amerikane erdhën pas disa incidenteve në Ngushticën e Hormuzit, ku të paktën pesë anije u goditën nga mina detare gjatë lundrimit në rrugët që Irani i konsideron të “paautorizuara”.
Ushtria iraniane theksoi se anijet duhet të koordinohen me forcat e armatosura të vendit për një kalim të sigurt nëpër këtë korridor detar. “Kalimi i sigurt kërkon koordinim me Forcat e Armatosura të Republikës Islamike të Iranit, lundrim përmes zonave të përcaktuara si të sigurta dhe mbajtjen aktive të sistemeve të navigimit”, thuhet në deklaratën e ushtrisë iraniane.
Ndërkohë, Garda Revolucionare e Iranit (IRGC) pretendoi se kishte rrëzuar një dron amerikan të tipit MQ-1 Predator, i cili përdoret për zbulim dhe sulme, në ujërat jugore të vendit, pranë ishullit Qeshm.
Sipas Gardës Revolucionare, ky ishte droni i 18-të i këtij lloji që forcat iraniane pretendojnë se kanë shkatërruar.
Në një deklaratë, IRGC tha se kishte përdorur një “sistem të ri dhe të avancuar të mbrojtjes ajrore”, i cili, sipas saj, zbuluar dhe shkatërruar dronin rreth orës 13:45 sipas kohës lokale.
Më herët gjatë së martës, Garda Revolucionare pretendoi gjithashtu se kishte kryer një sulm me dronë ndaj një sistemi radarësh amerikanë në bazën ajrore Sheikh Isa në Bahrein.
Bahreini, ku ndodhet Flota e Pestë e Marinës amerikane, si dhe Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), njoftuan se dronët ishin interceptuar dhe se nuk kishte pasur dëme.

