Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar një takim në Bruksel me presidenten e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, në kuadër të pjesëmarrjes në Konferencën Botërore për e-Parlamentin.
Pas takimit, Haxhiu e ka falënderuar Metsolën për ftesën dhe mbështetjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian ndaj Kosovës.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte rruga evropiane e Kosovës dhe procesi i anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Haxhiu theksoi se Kosova është plotësisht e përafruar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, duke kërkuar që institucionet evropiane të ndërmarrin hapa konkretë lidhur me aplikimin e Kosovës për anëtarësim. “I kërkova Presidentes Metsola të angazhohet që Këshilli i BE-së ta ftojë Komisionin Evropian të japë mendimin për kërkesën e Kosovës, siç ka kërkuar edhe vetë Parlamenti Evropian”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo gjithashtu informoi se gjatë takimit u diskutua për reformat evropiane, bashkëpunimin ndërmjet dy parlamenteve dhe shkëmbimin e përvojave mes deputetëve dhe administratave parlamentare.
Haxhiu kërkoi mbështetje nga Metsola për anëtarësimin e Kuvendit të Kosovës në Unionin Ndërparlamentar (IPU).
Sipas saj, presidentja e Parlamentit Evropian është zotuar se do të ndihmojë në këtë drejtim.
Në përfundim të takimit, Haxhiu e ftoi Metsolën për një vizitë zyrtare në Kosovë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

