Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian një përgjegjësi të qartë institucionale lidhur me interpretimin e një kënge që ka pretendime nacionaliste serbe ndaj territorit të Kosovës, gjatë hapjes së Forumit të Zgjerimit në Bruksel, më 15 nëntor.
Duke folur në Takimin e 8-të të Nënkomitetit BE-Kosovë për Drejtësi, Liri dhe Siguri, Gërvalla e mirëpriti sqarimin e Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, se kënga nuk reflekton qëndrimin e Komisionit Evropian, por e konsideroi këtë reagim si të pamjaftueshëm. “Presim pasoja konkrete dhe institucionale: një shpjegim se si u përzgjodh dhe u miratua kjo këngë, përcaktimin e përgjegjësisë dhe masa që një rast i tillë të mos përsëritet,” ka deklaruar Gërvalla.
Ajo theksoi se raste të tilla dëmtojnë kredibilitetin e Bashkimit Evropian dhe besimin në paanshmërinë e tij. “Pavarësia e Republikës së Kosovës në kontinentin evropian si shtet i pavarur dhe sovran është një realitet i cili sot nuk mund të mohohet më nga askush,” tha Gërvalla.
Ministrja theksoi se diskutimet në këtë nënkomitet nuk duhet të përfundojnë vetëm me konstatime të përgjithshme, por duhet të prodhojnë përgjegjësi të qarta, hapa konkretë dhe mekanizma të matshëm për zbatimin e rekomandimeve.
Përveç çështjes së këngës, Gërvalla diskutoi edhe për procesin e reformës në drejtësi, luftën kundër korrupsionit, funksionalizimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, si dhe nevojën për forcimin e institucioneve të drejtësisë.
Ajo njoftoi se pakoja e pesë projektligjeve për reformën në drejtësi ka kaluar leximin e parë dhe ndodhet në procedurë parlamentare.
Gërvalla gjithashtu pranoi se Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2026 evidenton progres të kufizuar në Kapitullin 23 dhe mungesë progresi në funksionimin e gjyqësorit, duke theksuar se këto vlerësime duhet të shërbejnë si shtysë për përshpejtimin e reformave.
Ajo vuri theks të veçantë në luftën kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, duke kërkuar një koordinim më të mirë ndërmjet policisë, prokurorisë, gjykatave dhe shërbimeve sociale.
Në përfundim, ministrja ritheksoi orientimin evropian të Kosovës dhe gatishmërinë e institucioneve për të vazhduar reformat, por kërkoi që i njëjti seriozitet dhe përgjegjësi të dëshmohet edhe nga partnerët evropianë.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

