Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, mori pjesë në takimin e 37-të të Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, i mbajtur në Selinë e NATO-s në Bruksel.
Gjatë këtij takimi, u riafirmua mbështetje e vazhdueshme e partnerëve për Ukrainën dhe popullin e saj.
Maqedonci theksoi se Kosova do të qëndrojë përkrah Ukrainës në mbrojtjen e lirisë, sovranitetit dhe paqes në Evropë.
Në një postim në Facebook, Maqedonci njoftoi se Kosova, në bashkëpunim me EUCOM-in, ka trajnuar 146 pjesëtarë ukrainas në shtatë grupe dhe ka dërguar dy pako mbështetje ushtarake. “Kosova po kontribuon konkretisht në këtë përpjekje të përbashkët: së bashku me EUCOM-in kemi trajnuar 146 pjesëtarë ukrainas në shtatë grupe, kemi dërguar dy pako mbështetje ushtarake dhe, për më shumë se dy vjet, pjesëtarë të FSK-së kanë kontribuar në trajnimin e rekrutëve ukrainas në kuadër të Operacionit Interflex në Mbretërinë e Bashkuar,” shkroi Maqedonci.
Maqedonci njoftoi gjithashtu se para fillimit të takimit, kishte takuar homologun e tij, ministrin Ermal Nufi, në Përfaqësinë e Shqipërisë në NATO. “Diskutuam për bashkëpunimin tonë dhe e falënderova për mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për anëtarësimin e Kosovës në NATO, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer në fushën e mbrojtjes,” tha ai. “Një NATO më e fortë në Ballkan do të thotë një Evropë më e sigurt,” përfundoi Maqedonci.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

