Gert Jan Koopman, drejtori i Përgjithshëm për Negociatat me Vendet e Fqinjësisë dhe Zgjerimin në Komisionin Evropian, ka adresuar çështjen e statusit të Kosovës si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai shprehu bindjen e tij se është koha për të filluar shqyrtimin e aplikimit të Kosovës, i cili u dorëzua në dhjetor të vitit 2022. ‘’Personalisht, besoj se është shumë e rëndësishme që të fillojmë shqyrtimin e aplikimit të saj.
Mendoj se, siç e dini, pesë shtetet që nuk e njohin Kosovën janë hezituese.
Por nuk bëhet fjalë vetëm për këto pesë shtete.
Ka pasur gjithashtu probleme në veri të vendit dhe tani është rikthyer çështja e Dhomave të Specializuara’’, shprehu ai.
Koopman e cilësoi si ‘jashtëzakonisht të padobishme’ çështjen e ligjit për Specialen, duke theksuar se Kosova duhet të ‘dëshmojë plotësisht përkushtimin e saj ndaj rrugës evropiane’.
Ai theksoi se miratimi i një ligji të tillë është problematik dhe se vendi duhet të tregohet i përgjegjshëm në këtë proces. ‘’E kuptoj se sot është miratuar një ligj.
Kjo është jashtëzakonisht e padobishme.
Unë do ta shihja çështjen në mënyrë të kundërt: për shkak se kemi një situatë delikate institucionale, me pesë shtete që nuk e njohin Kosovën, vendi në të gjitha këto çështje të tjera duhet vërtet të tregojë dhe të dëshmojë plotësisht përkushtimin e tij ndaj rrugës evropiane’’, shtoi ai.
Ai vazhdoi duke thënë se ligji për Specialen ‘nuk duhet të miratohet’ dhe se situata në veri të vendit kërkon menaxhim të duhur. ‘’Kjo do të thotë të mos miratohet ligji për Dhomat e Specializuara dhe të sigurohet që situata në veri të vendit të menaxhohet siç duhet.
Mendoj se, nëse kjo bëhet, është plotësisht e realizueshme që Këshilli i Bashkimit Evropian ta ftojë Komisionin Evropian të fillojë punën për aplikimin dhe të japë një opinion, që është hapi i ardhshëm.
Më pas, i takon Këshillit të vendosë nëse Kosovës do t’i jepet apo jo statusi i vendit kandidat’’, përfundoi ai.
Koopman përfundoi duke thënë se nuk duhet të jetë ‘shumë e vështirë’ që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat, për sa kohë që vendi përmbush kërkesat e lartpërmendura, por theksoi se ‘ende nuk jemi në atë pikë’. ‘’Kosova është partnere në procesin e zgjerimit dhe financimi i saj vjen nga një instrument që quhet Instrumenti për Ndihmën e Para-Anëtarësimit (IPA).
Prandaj, nuk mendoj se duhet të jetë shumë e vështirë që vendet t’i japin Kosovës statusin e vendit kandidat, me kusht që ajo t’i përmbushë të gjitha këto kërkesa.
Por ende nuk jemi në atë pikë’’, përfundoi Koopman.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




