Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Burim Ramadani, ka shprehur kritika të forta ndaj Qeverisë së Kosovës për varësinë e saj nga importi i energjisë elektrike.
Ai ka kërkuar llogaridhënie për mungesën e prodhimit vendor dhe për mosrealizimin e projekteve energjetike.
Gjatë një debati në Kuvendin e Kosovës, Ramadani e theksoi se nga viti 2021 deri në tetor të vitit 2026, Kosova do të ketë shpenzuar 1 miliard e 55 milionë euro për blerjen e energjisë elektrike. “Janë hiç më pak se 1 miliard e 55 milionë euro që është blerë rrymë për këto pesë vjet e gjysmë.
A e dini që me 1 miliard euro, pothuajse, ishte ndërtuar komplet një termocentral i ri?”, u shpreh ai.
Ramadani gjithashtu përmendi shpenzimet për importin e energjisë vetëm gjatë datës 12 nëntor, kur Kosova ka paguar 938 mijë euro. “Po flasim për pak më pak se 1 milion euro të blerjes së rrymës në Kosovë, e që mund të jetë një prej ditëve që më së paku ka kushtuar”, tha ai.
Ai kritikoi gjithashtu ndërprerjen e kontratës me kompaninë ContourGlobal për ndërtimin e një termocentrali të ri me kapacitet prej 500 megavatësh. “Pse nuk u ndërtua një termocentral i ri?
Kjo qeveri, prej vendimeve të para kur ka ardhur në pushtet, ka qenë për ta mbyllur projektin për termocentralin e ri.
Me këtë e ka mbyllur mundësinë që Kosova të ketë rrymë të mjaftueshme për vete”, theksoi deputeti i AAK-së.
Ai kërkoi nga Qeveria që të japë llogari për vonesat në projektet energjetike dhe të prezantojë masa konkrete për rritjen e prodhimit vendor. “Qytetari i Kosovës nuk mund të vazhdojë të përballet me pasiguri energjetike dhe me rritje të shpenzimeve familjare.
Prandaj, Qeveria duhet të na japë llogari në Kuvend dhe qytetarëve të Kosovës për çështje konkrete dhe rezultate të munguara”, përfundoi Ramadani.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




