Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka pritur me mirëseardhje ngritjen e aktakuzës kundër A.S për veprat penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.
Kjo aktakuzë lidhet me ngjarjet e 29 majit 2023 në Zveçan, ku sipas një komunikate të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i dyshuari akuzohet gjithashtu për sulmet ndaj gazetarëve të pranishëm atë ditë. “A.S., akuzohet se në bashkëkryerje, përmes përdorimit të dhunës, i ka sulmuar ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorur mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri.
Si pasojë e këtyre sulmeve, disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës dhe së paku 30 (tridhjetë) pjesëtarë të KFOR-it janë lënduar, 3 (tre) prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda.
Gjatë këtij sulmi janë sulmuar gjithashtu edhe veturat e gazetarëve që kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite”, thuhet në komunikatën përkatëse.
Sipas të dhënave të AGK-së, gjatë një periudhe prej 5 javësh, gjatë tensioneve në maj-qershor 2023, janë shënuar 35 raste të sulmeve ndaj gazetarëve në pjesën veriore të Kosovës, duke përfshirë sulme fizike.
AGK-ja angazhohet që sistemi i drejtësisë të mbajë përgjegjës të gjithë kryerësit e këtyre sulmeve, të cilët penguan punën e mediave dhe gazetarëve gjatë kësaj periudhe.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




