Policia e Kosovës i bën thirrje qytetarëve që të kenë kujdes gjatë shitjes së produkteve përmes platformave online.
Kohët e fundit, janë evidentuar raste ku persona të dyshuar kontaktojnë qytetarët që kanë publikuar produkte për shitje, duke u paraqitur si blerës të interesuar dhe duke u dërguar linqe mashtruese.
Këto linqe kërkojnë të dhënat e kartelave bankare, duke pretenduar se janë për realizimin e pagesës. ‘’Tregoni kujdes ndaj personave të panjohur që ju kontaktojnë dhe shprehin interesim për blerjen e produkteve tuaja; Mos hapni linqe të dyshimta që ju dërgohen nga blerësit e mundshëm; Mos plotësoni të dhënat e kartelës bankare në faqe apo linqe të dërguara nga persona të panjohur; Mos ndani numrin e kartelës bankare, datën e skadimit, kodin CVV/CVC apo kodet e konfirmimit bankar; Verifikoni çdo kërkesë për pagesë vetëm përmes kanaleve zyrtare të bankës ose platformës përkatëse; Nëse keni dhënë të dhënat bankare në ndonjë faqe të dyshimtë, kontaktoni menjëherë bankën për bllokimin e kartelës dhe rastin raportojeni në Policinë e Kosovës;’’, thuhet në njoftimin e Policisë.
Për të shmangur rënien viktimë e këtyre mashtrimeve, është e rëndësishme të keni parasysh këto rekomandime.
Kujdesi dhe vigjilenca janë çelësi për të siguruar një përvojë të sigurt dhe të suksesshme gjatë shitjes online.
Mos harroni, për të shitur online, nuk keni nevojë të zbuloni të dhënat e kartelës suaj bankare.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




