Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur se qeveria serbe, e cila ka kaluar përmes një ndryshimi udhëheqës, duhet të njohë pavarësinë e Kosovës.
Ai gjithashtu ka kërkuar që Milan Radoiçiq të dorëzohet për sulmin në Banjskë, duke paralajmëruar se lidhjet e forta të Serbisë me Rusinë përbëjnë një kërcënim për sigurinë e Kosovës.
Në një fjalim të mbajtur para studentëve në Paris School of International Affairs (PSIA), Kurti theksoi se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë duhet të përfshijë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë. “Ky proces duhet të përfshijë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë, duke filluar me dorëzimin e Milan Radoiçiqit, arkitektit kryesor të tij, në mënyrë që ai të përballet me drejtësinë”, deklaroi Kurti.
Ai po ashtu komentoi ndryshimin e fundit të udhëheqjes në Serbi, duke theksuar se qeveria serbe duhet ta pranojë pavarësinë e Kosovës. “Ky duhet të jetë gjithashtu një proces përmes të cilit qeveria e Serbisë, e cila së fundmi ka kaluar nëpër një ndryshim të udhëheqjes, të arrijë ta njohë realitetin e shekullit XXI: Kosova është shtet i pavarur, i njohur nga mbi 120 shtete”, tha ai.
Sipas Kurtit, Serbia duhet të ndalojë përpjekjet për të penguar njohjen ndërkombëtare të Kosovës. “Serbia duhet ta braktisë fushatën e saj agresive kundër njohjes sonë ndërkombëtare, përfshirë instrumentalizimin e kundërshtimit të Rusisë ndaj anëtarësimit tonë në organizatat ndërkombëtare”, theksoi ai.
Duke folur për situatën e sigurisë, Kryeministri tha se Kosova përballet me dy rreziqe: luftën e Rusisë kundër Ukrainës dhe lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë. “Serbia mbetet aleate e ngushtë e Rusisë, me politika që vazhdojnë të përbëjnë kërcënim për sigurinë e vendit tonë”, theksoi Kurti.
Ai përmendi se Rusia ka ngritur një qendër të ashtuquajtur humanitare në Nish, rreth 160 kilometra larg Prishtinës, e cila ka ngritur shqetësime për aktivitete të mundshme të inteligjencës. “Serbia mban 48 baza ushtarake dhe të xhandarmërisë për operacione të avancuara përgjatë kufirit tonë, ndërsa Kremlini ka themeluar një zyrë brenda Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë”, tha ai.
Kurti gjithashtu foli për sulmin e vitit 2023 në Banjskë, për të cilin tha se kishte për qëllim aneksimin e veriut të Kosovës sipas modelit të Krimesë.
Ai theksoi se Kosova ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen gjatë katër viteve të fundit, duke tejkaluar vazhdimisht 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ndërsa të gjitha blerjet ushtarake janë bërë nga shtetet anëtare të NATO-s.
Duke folur për integrimin ndërkombëtar, Kurti theksoi se Kosova përballet me tri çështje të rëndësishme: qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Ballkanit Perëndimor, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen nga pesë shtetet e BE-së dhe katër shtetet e NATO-s që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. “Nuk mund të ketë një Evropë të dorës së dytë.
Nuk ka më periferi”, u shpreh ai.
Kurti theksoi se Kosova nuk ka alternativë tjetër përveç integrimit në Bashkimin Evropian dhe NATO. “Ne nuk shohim alternativë ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s, sepse nuk duam asnjë alternativë ndaj Bashkimit Evropian dhe NATO-s”, deklaroi ai.
Në fjalimin e tij, Kryeministri gjithashtu trajtoi zhvillimin demokratik dhe ekonomik të Kosovës, duke theksuar se, sipas raportit të vitit 2026 të institutit suedez V-Dem, Kosova renditet si demokracia kryesuese në Ballkanin Perëndimor.
Ai tha se rritja mesatare ekonomike gjatë pesë viteve të fundit ka qenë mbi 4 për qind dhe se, sipas Gallup-it, Kosova është vendi më i sigurt në Evropë për të jetuar dhe i treti më i sigurt në botë.
Kurti gjithashtu përmendi politikat sociale të qeverisë, përfshirë arsimin e lartë falas, mbështetjen për nënat dhe familjet, rritjen e buxheteve për shëndetësinë publike dhe subvencionet për fermerët.
Ai foli gjithashtu për rolin e diasporës në zhvillimin ekonomik të Kosovës, duke theksuar rëndësinë e investimeve, ndërmarrësisë, punës në distancë dhe shkëmbimit të njohurive.
Sipas tij, shërbimet e ndërlidhura me teknologjinë përbëjnë rreth 6 për qind të ekonomisë së Kosovës, ndërsa marrëveshja e tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s pritet ta ndihmojë zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori.
Në përmbyllje, Kurti theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave demokratike dhe përgjegjësisë gjatë ushtrimit të pushtetit. “Vlerat që ju sjellin në politikë kanë rëndësi.
Por po aq rëndësi ka edhe ajo që bëni me këto vlera kur ju jepet përgjegjësia për t’i vënë ato në jetë”, përfundoi Kurti.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




