Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se vendi ynë i është bashkuar Deklaratës Politike të Samitit të Fëmijëve, i cili është organizuar në kuadër të Forumit të Paqes në Paris.
Në një postim, Kurti theksoi se kjo deklaratë ka si synim mbrojtjen e mirëqenies dhe të ardhmes së gjeneratave të reja.
Ai u shpreh se arsimimi dhe shëndeti i fëmijëve, përfshirë shëndetin mendor dhe atë psikosocial, janë çështje tepër të rëndësishme që kërkojnë vëmendje të veçantë, sidomos në këtë periudhë kur teknologjitë e reja dhe qëndrimi i gjatë para ekraneve po sjellin sfida të reja. “Në kuadër të Forumit të Paqes në Paris u lansua Samiti i Fëmijëve, dhe si Republikë e Kosovës iu bashkuam Deklaratës Politike, me qëllim mbrojtjen e mirëqenies dhe të ardhmes së gjeneratave të reja.
Arsimimi dhe shëndeti i fëmijëve, përfshirë ai mendor e psikosocial, teksa po sfidohemi nga teknologjitë e reja dhe kalojmë kohë të gjatë në ekrane, janë jetikë”, ka thënë Kurti.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




