temp image 735 temp image 735

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Ministrin Virtual Diella

- Advertisement -

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka shpallur sot vendimin përfundimtar lidhur me kërkesën e 39 deputetëve të Kuvendit për shfuqizimin e dispozitave të dy dekreteve të Presidentit që kanë të bëjnë me ministren virtuale të inteligjencës artificiale, Diella.

Kjo kërkesë është rrëzuar nga Gjykata.

Sipas ATSH-së, vendimi është marrë më 8 tetor 2026 dhe shpallur më 9 nëntor 2026.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Kushtetuese thekson se dispozitat e kundërshtuara kanë efekt juridik individual ndaj Kryeministrit, por nuk krijojnë kompetenca apo struktura të reja dhe nuk kanë karakter normativ.

Prandaj, ato nuk mund t’i nënshtrohen kontrollit abstrakt të kushtetutshmërisë. “Ministri virtual është një program i inteligjencës artificiale i organizuar në mënyrë jofrymore, i cili nuk përfaqëson në vetvete një person fizik real me zotësi juridike dhe zotësi për të vepruar në mënyrë të pavarur, e për rrjedhojë nuk ka të drejta të mëvetshme që e bëjnë atë një subjekt të pavarur në qarkullimin civil dhe administrativ.

Si i tillë, në rastin e tij nuk zbatohen kriteret kushtetuese dhe ligjore dhe rregullat që kanë të bëjnë me zgjedhshmërinë, me papajtueshmërinë e funksionit ose me verifikimin e zgjedhjes së tij,” thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Gjykata ka theksuar gjithashtu se Diella është një platformë e inteligjencës artificiale, e cila përdoret si instrument për përpunimin e të dhënave në procedurat e prokurimeve publike dhe tenderimeve, dhe nuk klasifikohet si funksionar kushtetues apo ministër në kuptimin juridik. “Gjithashtu, ai nuk gëzon karakteristikat ose tiparet e ‘ministrisë’ si person juridik të lidhura me pasjen e një strukture organizative, të pavarësisë pasurore dhe të përgjegjësisë së pavarur juridike dhe institucionale për veprimet që kryen dhe aktet që nxjerr nën drejtimin dhe autoritetin e ministrit virtual Diella, që nuk gëzon as cilësinë individuale si person fizik,” theksohet më tej në vendim.

Sipas ATSH-së, kërkesa është rrëzuar me shumicë votash, ndërsa gjyqtarët Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi kanë qëndruar në pakicë, duke argumentuar se dispozitat duhej të shfuqizoheshin si të papajtueshme me Kushtetutën.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -