Sot, presidentja Justina Shiroka-Pula vizitoi Kombëtaren e Kosovës, ku u prit nga drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës, stafi teknik dhe futbollistët.
Ajo u prit me ngrohtësi nga presidenti i FFK-së, Agim Ademi, dhe përzgjedhësi Franco Foda.
Gjatë këtij takimi, Ademi e uroi Shiroka-Pulën për marrjen e detyrës si presidente, ndërsa ajo e falënderoi ekipin për përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.
Presidentja theksoi se Dardanët janë ambasadorët më të mirë të vendit, duke vlerësuar talentin, përkushtimin dhe sukseset e tyre.
Ajo gjithashtu u uroi suksese në dy ndeshjet e ardhshme, njëra ndaj Izraelit në stadiumin “Fadil Vokrri” dhe tjetra ndaj Irlandës në udhëtim, si dhe përshëndeti tre futbollistët e ftuar për herë të parë në Kombëtare.
Në fund të takimit, Agim Ademi i dhuroi presidentes fanellën zyrtare të Kombëtares së Kosovës, si simbol të përfaqësimit dhe krenarisë shtetërore.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




