temp image 648 temp image 648

Rëndësia e Arkivave: Ruajtja dhe Digjitalizimi i Dokumenteve Historike në Kosovë dhe Shqipëri

- Advertisement -

Arkivat e Kosovës dhe Shqipërisë mbajnë në përbërje dokumente të jashtëzakonshme historike, që dëshmojnë zhvillimet për gjatë shekujve.

Drejtuesit e këtyre institucioneve theksojnë rëndësinë e ruajtjes, përpunimit dhe digjitalizimit të këtyre materialeve arkivore, për t’i bërë ato më të lehta për t’u aksesuar nga studiuesit dhe publiku i gjerë.

Deri tani, Arkivi i Kosovës ka digjitalizuar rreth 11 milionë kopje dokumentesh, që përbëjnë rreth 12% të fondeve arkivore.

Dokumentet arkivore janë dëshmi autentike të historisë sonë.

Në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, thonë se ruajtja dhe përpunimi i këtyre materialeve i japin mundësi studiuesve të hulumtojnë përmes dokumenteve origjinale. “Ne posedojmë dokumente të vitit 1437 që janë dorëshkrime të asaj kohe, si dhe një dokument noterial nga viti 1608 që dëshmon për një shit-blerje të atij periudhe.

Kështuqë kemi dokumente të vjetra, por qëllimi ynë është të jemi sa më afër qytetarit”, thotë Mehmet Xhemajli, drejtor ekzekutiv i ASHAK-së.

Edhe Arkivat e Shqipërisë ruajnë dokumente me rëndësi për historinë e shtetit shqiptar dhe zhvillimet për gjatë shekujve. “Dokumenti më i vjetër është një nga kodikët, kodiku i Korçës që daton nga shekulli VI.

Pak arkiva mund të mburren me një dokument kaq të vyer dhe kaq të rrallë”, shprehet Auron Rrokaj, drejtor i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë.

Përveç ruajtjes dhe sistemimit të dokumenteve, drejtuesit e të dy institucioneve e vlerësojnë digjitalizimin si një proces të rëndësishëm për ruajtjen dhe qasjen në materialet arkivore. “Jemi shteti i dytë ose i tretë në botë për sasinë e fondeve arkivore të digjitalizuara, na e kalon India me 50%, ne kemi arritur te 25%, dhe pritet të arrijmë në fund të këtij viti me këto ritme.

Nëse e krahasojmë me vendet europiane, ato kanë vetëm 8% të digjitalizuara, ndërsa SHBA ka vetëm 5%”, thotë Rrokaj. “Derisa kemi arritur rreth 11 milion kopje të digjitalizuara, është e rëndësishme të theksojmë se kemi diku rreth 11 km në total në arkivat e Kosovës, që do të thotë se kemi arritur rreth 12% të digjitalizimit të dokumenteve”, shpjegon Xhemajli.

Përmes ruajtjes, përpunimit dhe digjitalizimit të dokumenteve, arkivat kontribuojnë në mbrojtjen e kujtesës historike dhe në përcjelljen e trashëgimisë dokumentare te brezat e ardhshëm.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -