temp image 649 temp image 649

Rëndësia e Digjitalizimit të Arkivave në Kosovë dhe Shqipëri

- Advertisement -

Arkivat e Kosovës dhe Shqipërisë mbajnë dokumente me një vlerë të madhe historike, që dëshmojnë për zhvillimet që kanë ndodhur ndër shekuj.

Drejtuesit e këtyre institucioneve theksojnë se është tejet e rëndësishme të ruhet, përpunohet dhe digjitalizohet ky material arkivor, për ta bërë më të lehtë qasjen për studiuesit dhe publikun.

Deri tani, Arkivi i Kosovës ka digjitalizuar rreth 11 milionë kopje dokumentesh, që përbëjnë rreth 12 për qind të fondeve arkivore.

Dokumentet arkivore janë dëshmi autentike të së kaluarës.

Në Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, theksojnë se ruajtja dhe përpunimi i këtyre materialeve u ofron studiuesve mundësinë për të hulumtuar përmes dokumenteve origjinale. “Ne posedojmë dokumente të vitit 1437 që është dorëshkrim i asaj kohe, po ashtu kemi dokumente të vitit 1608, që është një dokument noterial për shit-blerje nga ajo periudhë.

Kështu, posedojmë edhe dokumente të vjetra, por qëllimi ynë është të jemi sa më afër qytetarit,” shprehet Mehmet Xhemajli, drejtor ekzekutiv i ASHAK-së.

Po ashtu, Arkivat e Shqipërisë ruajnë dokumente me rëndësi për historinë e shtetit shqiptar dhe zhvillimet ndër shekuj. “Dokumenti më i vjetër është një nga kodikët, kodiku i Korçës, që daton nga shekulli VI.

Pak arkiva mund të mburren që të kenë një dokument kaq të vyer dhe kaq të rrallë,” thotë Auron Rrokaj, drejtor i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë.

Përveç ruajtjes dhe sistemimit të dokumenteve, drejtuesit e të dy institucioneve e vlerësojnë digjitalizimin si një proces të rëndësishëm për ruajtjen dhe qasjen në materialet arkivore. “Jemi shteti i dytë ose i tretë në botë për sasinë e fondeve arkivore të digjitalizuara; na e kalon India me 50%, ne kemi arritur te 25%.

Në fund të këtij viti, me këto ritme, do të arrijmë një nivel më të lartë.

Duke pasur parasysh se vendi më i mirë në Europë ka 8% të digjitalizuar, kurse SHBA ka vetëm 5%,” thotë Rrokaj. “Derisa kemi arritur rreth 11 milionë kopje të digjitalizuara deri tani, nga 11 kilometra material në total në të gjitha arkivat e Kosovës, kjo përkthehet në rreth 12% të digjitalizimit të dokumenteve,” thekson Xhemajli.

Përmes ruajtjes, përpunimit dhe digjitalizimit të dokumenteve, arkivat kontribuojnë në mbrojtjen e kujtesës historike dhe në përcjelljen e trashëgimisë dokumentare te brezat e ardhshëm.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -