Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë thirrje për shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës që të angazhohen në zgjedhjet për Këshillin Kombëtar Shqiptar, të cilat do të mbahen këtë të diel, më 8 nëntor.
Në një postim në Facebook, Kurti njoftoi se 37 mijë e 759 shqiptarë të regjistruar në Listën e Posaçme Zgjedhore kanë të drejtë vote, ndërsa katër lista me gjithsej 107 kandidatë do të garojnë për 29 vende në këtë institucion.
Ai theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për përfaqësimin e shqiptarëve në Luginën e Preshevës. “Pas më shumë se një dekade me vetëm 15 anëtarë, Këshilli Kombëtar Shqiptar rikthehet në përbërjen prej 29 anëtarësh, falë rezultateve të regjistrimit të popullsisë të vitit 2022.
Një rikthim i rëndësishëm për përfaqësimin e shqiptarëve dhe të drejtat e tyre kolektive,” ka shkruar Kurti.
Kurti përmendi gjithashtu autorizimet publike të Këshillit Kombëtar Shqiptar në fushat e arsimit, kulturës, informimit dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe.
Ai e theksoi se shqiptarët në këto tri komuna përballen me shumë sfida. “Pavarësisht pengesave nga institucionet e shtetit serb, pasivizimit të adresave, diskriminimit dhe nënpërfaqësimit institucional, shqiptarët vazhdojnë të këmbëngulin për të drejtat e tyre dhe për të ardhmen në vendlindje,” deklaroi Kurti.
Kryeministri theksoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të mbështesë shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës përmes teksteve mësimore, bursave për nxënës dhe studentë, si dhe mbështetjes për kulturën dhe institucionet përfaqësuese.
Në përfundim, Kurti u bëri thirrje qytetarëve që të dalin në zgjedhje dhe të votojnë sipas bindjes së tyre. “Nesër, ju ftoj të merrni pjesë në zgjedhje dhe ta ushtroni të drejtën tuaj demokratike të votës, lirshëm e sipas bindjes suaj,” përfundoi Kurti.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info



