Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka realizuar testin kualifikues për 371 kandidatë që kanë aplikuar për 34 pozita të prokurorëve të rinj të shtetit.
Sipas njoftimit të KPK-së, nga këta kandidatë, 174 ishin gra dhe 197 burra.
Nga pozitat e shpallura, 10 janë të rezervuara për pjesëtarët e komunitetit serb, ndërsa prokurorët e rinj pritet të emërohen në prokuroritë themelore të Kosovës.
Testimi është mbajtur në ambientet e Akademisë së Kosovës për Siguri Publike në Vushtrri. “Procesi i hartimit dhe administrimit të testit është realizuar duke zbatuar parimet e transparencës, integritetit dhe trajtimit të barabartë të të gjithë kandidatëve.
Në funksion të këtyre parimeve, pyetjet e testit janë hartuar sot, në ditën e testimit, në prani të vëzhguesve dhe monitoruesve vendorë e ndërkombëtar.
Testi kualifikues është mbikëqyrur nga z.
Arian Gashi, në cilësinë e Kryetarit të Komisionit për Rekrutimin e Prokurorëve të Shtetit, së bashku me anëtarët e tjerë të këtij Komisioni.
KPK tha se mbarëvajtja e procesit është përcjellë edhe nga përfaqësues të partnerëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë Misionin e Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit (EULEX), OSBE dhe AVONET, duke kontribuar në monitorimin e pavarur dhe besueshmërinë e këtij procesi. “Me përfundimin e testit kualifikues, procedura e rekrutimit do të vijojë me fazat e tjera të parapara, përkatësisht testin me shkrim dhe intervistimin e kandidatëve.” Këshilli Prokurorial i Kosovës tha se “mbetet i përkushtuar që i gjithë procesi të zhvillohet mbi bazën e meritës, profesionalizmit, transparencës dhe paanësisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe standardet përkatëse.” Burimi origjinal i informacionit: zeri .info



