Klinika e Onkologjisë ka njoftuar se aktualisht ka një furnizim të rregullt me barin imunoterapeutik Keytruda (Pembrolizumab), duke sqaruar se ky medikament ofrohet për pacientët sipas indikacioneve të përcaktuara në Listën e Barnave Esenciale.
Sipas njoftimit të Klinikës, terapia mbulohet për pacientët me kancer të mushkërive, me nivel të PD-L1 mbi 10 për qind, në kombinim me kimioterapi, si dhe për pacientët me melanomë malinje të stadit III.
Duke iu referuar rastit të një pacienteje me kancer të qafës së mitrës, për të cilën është kërkuar informacion dhe rasti është bërë publik në media, Klinika ka sqaruar se ajo fillimisht ishte trajtuar me rrezatim dhe kimioterapi, por, pas një periudhe, sëmundja kishte përparuar dhe ishin shfaqur metastaza.
Pas vazhdimit të kimioterapisë dhe përparimit të mëtejshëm të sëmundjes, pacientja iu nënshtrua testimit për PD-L1 dhe, pas vlerësimit mjekësor, iu propozua një linjë tjetër trajtimi, përfshirë kombinimin e kimioterapisë me imunoterapinë Pembrolizumab.
Sipas Klinikës, duke përjashtuar Pembrolizumabin, barnat e tjera të këtij kombinimi janë përshkruar dhe janë marrë në Klinikën e Onkologjisë.
Pacientes i janë shpjeguar mundësitë e trajtimit dhe i është bërë e ditur se Pembrolizumabin duhet ta sigurojë vetë.
Me pëlqimin e saj, pacientja vendosi ta fillojë këtë trajtim dhe i sigurroi barnat për dy ciklet e para.
Megjithatë, pas këtyre dy cikleve, sëmundja ka vazhduar të përparojë, për çka ajo aktualisht është vendosur në trajtim paliativ me rrezatim.
Në sqarimin e saj, Klinika e Onkologjisë thekson se mosmbulimi i këtij indikacioni nga Lista e Barnave Esenciale nuk nënkupton mungesë të medikamentit në Klinikë. “Klinika e Onkologjisë ka pasur furnizim me Pembrolizumab dhe të gjithë pacientët që kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në LBE e kanë marrë terapinë pa pasur mungesë të këtij medikamenti”, thuhet në njoftim.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


