Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka zhvilluar një takim me zëvendëskomandantin për Integrim në Komandën e Ushtrisë amerikane për Evropë dhe Afrikë, gjeneralmajor Christian Nawrat.
Takimi ka ndodhur në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Berlin, ku janë trajtuar prioritetet strategjike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe thellimi i bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Sipas njoftimit të Ministrisë, gjatë këtij takimi është diskutuar për planin strategjik katërvjeçar, zhvillimin e sistemit të mbrojtjes gjithëpërfshirëse dhe nismën ligjore për krijimin e Zonës së Industrisë për Mbrojtje.
Vëmendje e veçantë iu kushtua angazhimit të Kosovës për anëtarësim në Kartën e Adriatikut (A5), si një hap drejt thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe integrimit euroatlantik në fushën e sigurisë.
Ministri Maqedonci theksoi rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe koordinimit me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim të zhvillimit të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës dhe forcimit të sigurisë rajonale.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info



