temp image 66 temp image 66 scaled

Aleksandar Vulin: Kthimi i papritur në Beograd gjatë fluturimit për Moskë

- Advertisement -

Kryetari i Lëvizjes së Socialistëve në Serbi, Aleksandar Vulin, ka bërë të ditur se po udhëtonte drejt Moskës për çështje pune, por u zgjua papritur gjatë fluturimit, kur aeroplani u kthye përsëri në Beograd.

Ai shpjegoi se nuk e kishte kuptuar se çfarë po ndodhte deri në momentin kur ekuipazhi njoftoi pasagjerët se kishin mbërritur sërish në kryeqytetin serb. “Për të qenë i sinqertë, thjesht u zgjuam.

Kisha fjetur në aeroplan.

Kur hapa sytë, na thanë se jemi në Beograd.

Pyeta: Si në Beograd?”, tregoi Vulin në një lidhje telefonike për televizionin “Informer”, sipas N1.

Ai tha se pas zbritjes vuri re policinë dhe forcat speciale të mbledhura në aeroport, dhe më pas iu nënshtrua kontrolleve të sigurisë, së bashku me udhëtarët e tjerë.

Vulin e përshkroi kthimin e aeroplanit si një përpjekje për përballje politike me të, duke theksuar se nuk kishte asgjë të paligjshme në udhëtimin e tij.

Ai sqaroi se destinacioni i tij ishte Moska, ku kishte planifikuar të zhvillonte bisedime për vazhdimin e marrëveshjes për furnizimin e Serbisë me gaz.

Sipas të dhënave të platformave për përcjelljen e fluturimeve, në orën 18:48 (e martë), ai kishte arritur në jug të Lituanisë, por më pas kishte ndryshuar drejtimin dhe ishte nisur për t’u kthyer në Beograd.

Në përputhje me informacione nga Nova.rs, aeroplani kishte arritur deri në jug të Lituanisë, kur ishte dhënë urdhri për kthimin e tij në Beograd, me arsyetimin se bëhej fjalë për çështje sigurie.

Aleksandar Vulin njihet si një nga politikanët më të afërt me Moskën në skenën politike serbe dhe është një bashkëpunëtor i ngushtë i ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.

Gjatë karrierës së tij, ai ka drejtuar disa institucione të rëndësishme, duke shërbyer si ministër i Mbrojtjes dhe i Punëve të Brendshme, dhe nga dhjetori i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023, ishte në krye të Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA).

- Advertisement -