Arbër Hajdari ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, i cili e përmendi emrin e tij si një nga kandidatët e mundshëm për të drejtuar Bashkinë e Tiranës, sipas kryeministrit Edi Rama.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hajdari e ka mohuar çdo përfshirje në këtë çështje, duke i quajtur deklaratat e Veliajt si thashetheme dhe fantazi.
Ai ka nënvizuar se nuk ka lidhje me atë që e ka përshkruar si histori penale-politike dhe ka theksuar se nuk ka pasur kurrë ambicie për t’u emëruar në krye të Bashkisë së Tiranës. “Më mbytën mesazhet për thashethemet e Erion Veliajt.
Jam pa fjalë dhe nuk e kuptoj pse paskam rënë unë këtë herë në çorbën e fantazive të zotërisë!
Unë nuk kam lidhje me këtë histori penale-politike dhe as jam i papunë, as kam ëndërruar ndonjëherë të më punësojë, larg qoftë, Lali Eri!”, ka shkruar Hajdari.
Ai ka shtuar se fundjavat vazhdon t’i kalojë pranë njerëzve në nevojë, duke e mbyllur reagimin me një mesazh ironik, duke theksuar se nuk është pjesë e zhvillimeve politike për të cilat është përmendur. “Fundjava ime mbetet gjithnjë ndryshe, mes njerëzve në nevojë.
E gjithë java e politikës po njësoj, mes llafeve të kota.
Pa merak miq, unë jam Arbëri i fundjavës”, ka përfunduar ai.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




