temp image 65 temp image 65

Dashuria e Paharruar e Xhevës dhe Fehmiut: Një Histori Heroike nga Kosova

- Advertisement -

“Gëzuar Viti i Ri 1989, të uron dhe të përqafon vasha jote, XHEVA!” Kjo është një nga letrat që Xhevë Krasniqi-Lladrovci ia shkroi të fejuarit të saj, tri ditë para ndërrimit të moteve.

Dorëshkrimi i saj depërtoi edhe brenda mureve të burgut të Stara Gradishkës në Kroaci, ku po mbahej i fejuari i saj, komandanti Fehmi Lladrovci.

Por kjo nuk ishte komunikimi i vetëm mes dy heronjve gjatë pesë viteve nga fundi i viteve ’80 deri në fillimin e atyre ’90.

Plot 50 letra të tilla u ekspozuan në kuadër të ekspozitës “Një Mur që na ndanë” në “Reporting House”.

Në secilën prej tyre dallohet lehtë dashuria dhe respekti që ata kishin për njëri-tjetrin. “Në ato çaste, zemra kishte një rrahje jo të zakonshme.

Ritmi i saj ishte shumë i shpejtë.

Për një moment para meje u gjend vëllai!

Ende pa u përshëndetur e pyeta: ‘Vetëm je?’”. “Unë pres këtu në sallë, se nuk më lejojnë të hy brenda.

Emrin tim e kishin shlyer nga kartoni, se s’paskam të drejtë ta shoh shokun tim të jetës.” Pavarësisht ndarjeve dhe vështirësive, Xheva kishte vendosur ta priste Fehmiun.

Ajo nuk hoqi dorë as kur ky i fundit iu shqiptua dënimi prej dhjetë vjetësh burg.

Madje, ajo zgjodhi të shkonte nuse në familjen Lladrovci, duke veshur një kostum të kuq, në një kohë kur Fehmiu vazhdonte të mbahej në burg. “Fehmiu ishte dënuar me 10 vite, e pasi është dënuar, i kishte thënë Xhevës në një vizitë, ne jemi shokë, mbetemi shokë siç kemi qenë edhe përpara.

Ti mund ta kërkosh fatin, pasi këto 10 vite mund të zgjasin edhe më shumë.

Dhe ajo i thotë, ‘përjetë jam e jotja’ dhe nga aty ka vendosur që Xheva të shkojë në familjen e Fehmiut dhe ta pres aty”, tregon Shemsije Istogu-Lladrovci, kunata e Xhevës.

Dy heronjtë atë kohë, po i ndanin qindra kilometra, por ajo që i bashkonte ishte dashuria dhe mallin për njëri-tjetrin. “Gjithnjë e më shumë e ndiej mungesën tuaj, por vetëm fizikisht nuk je me mua.

Mendja, shpirti e zemra janë një tek unë e ti.

Tërë kohën e mbaj me vete fytyrën tënde, të cilës largësia i dha përgjithmonë formën e mallit dhe të pritjes.” Një pjesë e këtyre letrave i ruajti kunata e Xhevës, Shemsije Istogu-Lladrovci. “Nuk e di, mendoj që është diçka hyjnore ndërmjet tyre, ka pasur diçka rrezatuese sepse ndiheshe ndryshe kur ishin ata.

Ndonjëherë kur mungonin, thosha se edhe muret e shtëpisë po gëzohen kur po vini ju.

Kam qenë më fat që kam jetuar afër tyre,” shprehet ajo.

Nga të gjitha letrat, Shemsija e veçoi atë të datës 16 janar 1988. “Xheva çdo gjë që e ka thënë e ka thënë me një kuptim të veçantë.

Do të veçoja atë pjesën kur i shkruan Fehës, me 16 janar 1988, ‘Jeta jonë do të jetë pasqyrë besnike e ndershmërisë njerëzore’ dhe me të vërtetë jeta e tyre e tillë ishte,” thotë Istogu-Lladrovci.

E veçantë ishte edhe dita e kthimit të Fehmi Lladrovcit në vendlindje.

Ashtu si gjithçka e shkruar, dhe momenti i takimit mes Xhevës, Fehmiut dhe nënës së heroit ishte emocionues. “Ditën që Fehmiu është kthyer, nëna e tij kishte dhimbje koke dhe Xheva e mori për ta dërguar tek doktori në Drenas.

Kur shkojnë te treni, në momentin që ata donin të hipnin, zbriti Fehmiu… Takimi i tyre ishte shumë interesant, thonë se treni u ndal, udhëtarët dolën dhe duartrokitën përqafimin mes nënës dhe Xhevës,” shprehet ajo.

Me kthimin e Fehmiut nga burgu, filluan përgatitjet për dasmën, të cilat zgjatën një javë.

Në dasmë ishte e pranishme edhe Shemsija, e cila, së bashku me Ramiz Lladrovcin, u fejua po atë ditë. “Ka qenë një javë përgatitje rreth dasmës.

Dasma e tyre ka qenë madhështore, me njerëz nga të gjitha trojet shqiptare, ngase Fehmiu kishte shkuar gjithandej viseve shqiptare.

Kam qenë pjesë e dasmës së tyre me kërkesë të Fehmiut që unë dhe Sevetja të jemi afër Xhevës,” tregon Istogu-Lladrovci.

Kështu filloi jeta e çiftit të ri nga Drenica.

Ndërsa dy heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk u ndanë asnjëherë më.

Madje, ata nuk e braktisën njëri-tjetrin as më 22 shtator 1998, kur, krah njëri-tjetrit, ranë heroikisht gjatë një beteje me forcat serbe në Gllanasellë të Drenasit.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

- Advertisement -