Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas konfirmimit zyrtar të pranisë së aflatoksinave mbi kufijtë e lejuar në tregun e Kosovës, duke theksuar se këtë skandal e kishte paralajmëruar më 22 tetor në ATV.
Gjini ka theksuar se paralajmërimi i tij është dëshmuar i saktë dhe ka ngritur shqetësimin për rrezikun që aflatoksinat paraqesin për shëndetin e qytetarëve. “Me datë 22 tetor, në emisionin Context me Leart Hoxhën në ATV e paralajmërova me saktësi këtë super skandal.
Sot, ajo që ne paralajmëruam doli e vërtetë, pikë për pikë!”, ka shkruar Gjini.
Ai thekson se aflatoksinat janë substanca tejet toksike, të cilat jo vetëm që rrezikojnë kafshët, por gjithashtu mund të kalojnë në qumësht, duke kërcënuar shëndetin e fëmijëve dhe familjeve.
Gjini ka deklaruar se Aleanca ka alarmuar vazhdimisht qytetarët për skandalet e njëpasnjëshme të Qeverisë, duke e cilësuar këtë rast si dëshmi të neglizhencës ndaj sigurisë ushqimore. “Kjo që po ndodhë është pasqyrë e një pushteti që neglizhon sigurinë tonë kombëtare dhe ushqimore”, ka thënë ai.
Në përfundim, kryetari i Aleancës ka kërkuar mbrojtje dhe llogaridhënie për qytetarët e Kosovës, duke kritikuar Qeverinë për mungesë reagimi përballë skandaleve që rrezikojnë seriozisht shëndetin e qytetarëve.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info




