Sioni arriti të shpëtojë një pikë në udhëtimin e tij te Luzerni, në një ndeshje ku dy futbollistët e Kosovës, Kreshnik Hajrizi dhe Rilind Nivokazi, ishin në qendër të vëmendjes.
Takimi, i vlefshëm për javën e 12-të të Superligës së Zvicrës, përfundoi me rezultatin 1-1, me të dy golat e shënuar gjatë pjesës së dytë.
Hajrizi e hapi shifrën në minutën e 65-të, duke dërguar topin në rrjetën e portës së skuadrës së tij dhe duke i dhënë epërsinë Luzernit.
Ai luajti deri në minutën e 72-të, kur u zëvendësua.
Në të njëjtën minutë, Rilind Nivokazi u inkuadrua në lojë për Sionin dhe bëri një ndikim të menjëhershëm, duke shënuar në minutën e 79-të dhe vendosur rezultatin përfundimtar 1-1, duke siguruar një pikë për skuadrën mysafire.
Për Sionin, në fushë ishin gjithashtu Donat Rrudhani dhe Benjamin Kololli, ndërsa portieri Simon Simoni e ndoqi ndeshjen nga banka rezervë e Luzernit.
Ky ishte një tjetër kontribut i rëndësishëm për Nivokazin në këtë edicion pozitiv, pasi 26-vjeçari tashmë ka shënuar katër gola dhe ka bërë tri asistime në të gjitha garat.
