Avokati i familjes së të ndjerës Liridona Ademaj, Leutrim Syla, ka zbuluar detaje të rëndësishme nga prapavija e ngjarjes tragjike.
Ai ka folur për tradhtinë e Naim Murselit ndaj bashkëshortes së tij dhe pretendimet për planet e vrasjes së saj, të cilat, sipas tij, kishin filluar rreth një vit më parë.
Në një intervistë me Astrit Gashin, Syla ka theksuar se për të kuptuar tërësisht ngjarjen, është e nevojshme të merren parasysh disa detaje të rëndësishme.
Ai i referohet deklaratës së Shaban Murselit, babait të Naim Murselit, i cili kishte thënë se djali i tij e kishte tradhtuar Liridonën me gruan e një familjari të Kushtrim Kokallës.
Sipas Sylës, kjo tradhti kishte ndodhur rreth një vit para ngjarjes fatale, në kohën kur Naim Murseli kishte arritur ta siguronte Liridonën në Suedi.
Avokati gjithashtu përmendi deklaratën e Kushtrim Kokallës në polici, ku ai kishte thënë se Naim Murseli i kishte ofruar mundësinë për ta vrarë Liridonën një vit para se të ndodhte krimi. “Pra, Kushtrim Kokalla e pranon një fakt të tillë”, ka theksuar Syla.
Ai ka folur gjithashtu për planet dhe opsionet e ndryshme që, sipas deklarimeve të tij, ishin shqyrtuar për vrasjen e Liridonës.
Sipas Sylës, Granit Plava kishte thënë se ishte ofruar mundësia që vrasja të inskenohej si aksident, por ai nuk kishte pranuar një propozim të tillë.
Një tjetër element i rëndësishëm që avokati ka veçuar është raporti mes Granit Plavës dhe familjes së Kushtrim Kokallës.
Syla ka theksuar se Plava nuk e kishte njohur Naim Murselin, por kishte qenë mik i familjes Kokalla, e cila i kishte lidhur palët. “Këtë e kemi argumentuar me prova”, ka deklaruar Syla.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
