Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka deklaruar se ceremonia e diplomimit për 300 policët e rinj, e cila ishte paraparë të mbahej nesër, do të anulohet për shkak të mungesës së uniformave.
Ajo e ka cilësuar këtë situatë si një absurditet dhe dështim institucional. “Nesër ishte planifikuar të mbahej ceremonia e diplomimit të rreth 300 policëve të rinj, por mungesa e uniformave po e pamundëson mbajtjen e saj.
Paramendojeni këtë absurditet: 300 policë janë gati të diplomojnë, por shteti nuk arrin t’ua sigurojë as uniformat!
Kësaj i thonë paaftësi organizative, dështim institucional dhe dëshmi e një qeverisjeje që nuk arrin t’i kryejë as obligimet më elementare ndaj institucioneve të sigurisë.
Për çfarë planifikimi flasim?
Për çfarë menaxhimi flasim?
Dhe, mbi të gjitha, ku është përgjegjësia politike për këtë dështim?”, ka shkruar ajo në Facebook.
Musliu ka theksuar se Qeveria nuk mund të fshihet pas procedurave dhe arsyetimeve administrative. “Qeveria duhet të japë llogari.
Qytetarët meritojnë institucione që funksionojnë, ndërsa policët tanë meritojnë respekt dhe kushte dinjitoze për të shërbyer.
Dështimi për t’i pajisur 300 policë me uniforma nuk është vetëm dështim institucional, por edhe dekurajim për gjeneratën e re që dëshiron t’i shërbejë vendit me nder”, ka theksuar ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
