Albena Reshitaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, në seancën e sotme në Kuvend, ka folur për tragjedinë e vrasjes së Arlinda Zekajt.
Ajo ka shprehur pyetjen se “sot, çfarë sigurie mund të ndjejë një grua që kërkon ndihmë nga shteti, nëse përgjigjja që merr është se ‘askush nuk është i obliguar të merret me të’?”. “Vrasja e Arlindës na ka tronditur, por ajo që po dëgjojmë këto ditë e bën situatën edhe më të rëndë dhe më të trishtë.
Po publikohen audioincizime ku Arlinda dëgjohet duke iu lutur për ndihmë zyrtarëve policorë, ndërsa njëri prej tyre përgjigjet ‘nuk jam i obliguar me u marrë me ty’.
Po ashtu, është raportuar se tri ditë para vrasjes, kur Arlinda kishte thirrur policinë, zyrtarët e policisë ishin vonuar 70 minuta sepse nuk kishin pasur veturë zyrtare në dispozicion.
Unë pyes sot se çfarë sigurie mund të ndjejë një grua që kërkon ndihmë nga shteti, nëse përgjigjja që merr është se ‘askush nuk është i obliguar të merret me të’.
Fatkeqësisht, kjo nuk është hera e parë që përballemi me këtë situatë.
Vetëm në 10 muajt e fundit kemi pasur 8 vrasje.
A po arrijnë institucionet tona t’i mbrojnë qytetarët kur ata kanë më së shumti nevojë?
Sot Qeveria po paralajmëron masa të reja për mbrojtjen e grave.
Mirëpo, si mund të presim që qytetarët t’u besojnë se këto masa do të zbatohen vërtet, kur ende nuk kemi përgjigje të qarta për përgjegjësinë institucionale të rasteve të mëparshme?” ka thënë ajo.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
