Njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti, ka pritur në Çarshinë e Vjetër të Shkupit Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Gjatë këtij takimi miqësor, ata kanë diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe për bashkëpunimin institucional dhe mundësitë për avancimin e tij në fusha me interes të përbashkët.
Sipas kabinetit të Mexhitit, gjatë takimit u theksua rëndësia e forcimit të marrëdhënieve fqinjësore, të mbështetura në lidhjet historike, kulturore dhe shoqërore ndërmjet dy vendeve.
U kushtua vëmendje e veçantë nevojës për komunikim të vazhdueshëm ndërinstitucional dhe për identifikimin e mundësive të reja për bashkëpunim, në funksion të zhvillimit dhe interesave të përbashkëta. “Ishte kënaqësi e veçantë të mirëpresim në Shkup Kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut ndajnë lidhje të rëndësishme historike, kulturore dhe vëllazërore, të cilat përbëjnë një bazë të qëndrueshme për thellimin e bashkëpunimit tonë.
Gjatë bashkëbisedimit theksuam rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm, forcimit të marrëdhënieve institucionale dhe avancimit të iniciativave me interes të përbashkët.
Besoj se bashkëpunimi i ngushtë ndërmjet dy vendeve është në shërbim të zhvillimit, stabilitetit dhe perspektivës sonë të përbashkët”, deklaroi Mexhiti.
Në përfundim të takimit, Mexhiti shprehu mirënjohje për vizitën e Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, duke i uruar suksese në ushtrimin e përgjegjësive të saj institucionale dhe duke ritheksuar rëndësinë e kultivimit të marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
