Deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, duke theksuar se ky rast tregon dështimin e shtetit.
Viktima kishte njoftuar institucionet për rrezikun ndaj jetës së saj vetëm tri ditë para se të ndodhte tragjedia.
Në mbledhjen e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Haxhiu iu bëri thirrje deputetëve që të kërkojnë llogaridhënie nga çdo zyrtar që mund të ketë dështuar në trajtimin e rastit, duke theksuar se përgjegjësia nuk duhet të mbetet vetëm te reagimet publike të grave. “Këtu ka dështu shteti.
Këtu jo vetëm që u ka marrë jetën një gruaje, por ajo letër për mua ka qenë diçka që nuk besoj se e ka lon dikënd me flejt mbrëmë.
Me u kthy me e lexu e me rilexu.
Prandaj, edhe një herë, prej këtij momenti, në çdo vend, ta ngritim zanin me kërku përgjegjësi.
Derisa dikush nuk merr përgjegjësi, atëherë unë nuk kam çka i them një gruaje.
Ma kërkush në këtë vend nuk është i sigurt”, tha Haxhiu.
Ajo rikujtoi se Arlinda Zekaj kishte kërkuar ndihmë nga institucionet për rrezikun që kishte përjetuar dhe bëri thirrje për veprime konkrete nga ana e deputetëve. “Një grua që paralajmëron institucionet, një gru që kërkon shpëtim, një gru që paralajmëron për gjithçka që do të ndodhë edhe me ndodhë, ky është kulmi.
Prandaj, ju lus të gjithëve, si deputetë, mos pritni vetëm gratë me bë reagime, mos pritni vetëm gratë me kërku përgjegjësi.
Por edhe prej ktuhit, të kërkojmë përgjegjësi për secilin që ka bo qoftë edhe një hap më të voglin të papërgjegjshëm”, tha ajo.
Zëvendëskryetari i Komisionit, Fahrush Rexhepi, gjithashtu shprehu shqetësimin për këtë rast, duke theksuar se problemet që po përballet shoqëria kërkojnë angazhim të përbashkët institucional. “Ndajmë me ju dhe ndjejmë dhimbje dhe shqetësim edhe ne.
Jo vetëm për këtë rast, por shqetësimet dhe preokupimet janë të mëdha në shoqërinë tonë.
Ne duhet të kontribuojmë, pavarësisht ku jemi dhe prej cilës pozitë flasim.
Por është një temë shumë e gjerë, dhe shpresoj se do të ketë përmirësime”, tha ai.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e së dielës në Vitomiricë.
I dyshuar për vrasjen është kunati i saj, i cili ndodhet ende në arrati.
Sipas informatave, ngjarja ka ndodhur brenda shtëpisë dhe dyshohet se viktima është vrarë me sëpatë.
Vetëm tri ditë para vrasjes, më 22 tetor, Zekaj kishte dorëzuar një parashtresë në Prokurorinë Themelore në Pejë, ku kishte kërkuar masa urgjente për mbrojtje. “Uroj që të mos detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, kishte shkruar ajo, duke e cilësuar këtë si “shpresën time të fundit”.
Në këtë parashtresë, Zekaj kishte kërkuar hetimin e përgjegjësive institucionale dhe ndërmarrjen e veprimeve konkrete.
Pas vrasjes, avokatja Adelina Hoxha, e cila kishte përfaqësuar Zekajn në raste të dhunës në familje, reagoi duke thënë se viktima kishte kërkuar ndihmë, duke i thënë se jeta nuk kishte kuptim pa djalin e saj. “Një grua që mu përgjërua…
Sonte u vra nga kunati me sëpatë.
Por jo, Arlindën e vrau shteti.
Nesër për ju të gjitha dëshmitë”, shkroi avokatja.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info
