Robert Lewandowski Dëshmon Mbështetje për Lamine Yamal dhe Michael Olise për Topin e Artë
Robert Lewandowski ka zgjedhur ish-bashkëlojtarin e tij te Barcelona, Lamine Yamal, si një nga favoritët për të fituar ‘Topin e Artë’.
Po ashtu, ai ka shprehur lëvdata edhe për yllin e Bayern Munichut, Michael Olise.
Sulmuesi polak, tani pjesë e Chicago Fire, vlerëson se Yamal ka cilësi të jashtëzakonshme, sidomos duke marrë parasysh moshën e tij të re.
Megjithatë, Lewandowski beson se Olise meriton më shumë vëmendje për shkak të ndikimit të tij të madh në lojën e Bayern Munichut. “Sigurisht, unë bëj tifo që Lamine Yamal ta fitojë Topin e Artë, sepse është i jashtëzakonshëm, sidomos për moshën që ka.
Megjithatë, nëse e krahasojmë situatën e sotme me atë të mëparshmen, gjërat janë paksa ndryshe”, u shpreh Lewandowski.
Ai gjithashtu foli për paraqitjet e Harry Kane te Bayern Munich, duke vlerësuar ndikimin e sulmuesit anglez dhe bashkëpunimin e tij me Olise dhe Luis Diazin. “Kane, që iu bashkua Bayernit në kulmin e karrierës së tij, po bën gjëra të jashtëzakonshme. Është mbresëlënëse të shohësh sa gola shënon, sidomos duke pasur parasysh se Bayerni e kishte ndier mungesën e një sulmuesi të këtij niveli pas largimit tim.
Me të, skuadra po bën një punë shumë të mirë”, deklaroi ai. “Ndërsa Olise, për mua, është thjesht ‘uao’.
Ai është një lojtar që mund ta ndryshojë rrjedhën e ndeshjes.
Mendoj se bashkëpunimi mes Kane, Olise dhe Luis Diazit është një kombinim perfekt”, shtoi Lewandowski.
Lewandowski i vendosi Yamal dhe Olise në një nivel të lartë, duke theksuar se të dy kanë ndikim të madh në lojën e skuadrave të tyre. “Lamine dhe Olise, si lojtarë të krahut, janë ndër futbollistët me ndikimin më të madh në skuadrat e tyre, krahas Harry Kane, i cili luan si sulmues qendror”, tha ai.
Ylli polak u ndal veçanërisht te cilësitë e francezit të Bayern Munichut, duke vlerësuar inteligjencën e tij në lojë dhe vendimmarrjen në momentet vendimtare. “Jam i impresionuar nga mënyra se si luan Olise.
Ai ka një të ardhme të jashtëzakonshme.
E di që të gjithë flasin për Lamine Yamal, por unë përpiqem ndonjëherë t’i shikoj edhe lojtarët e tjerë dhe të vërej diçka që jo të gjithë e kanë kuptuar ende”, tha ai.
Lewandowski madje beson se një paraqitje e mirë e Olise në Kupën e Botës mund ta vendosë atë në mesin e kandidatëve kryesorë për çmimin individual më prestigjioz në futboll. “Për mua, nëse Olise do të shënonte një ose dy gola në Kupën e Botës, ai gjithashtu do të ishte favorit për Topin e Artë, përkrah Lamine Yamalit apo edhe Harry Kane”, theksoi polaku.
Në fund, Lewandowski vlerësoi aftësinë e Olise për të marrë vendimet e duhura në fushë, duke theksuar kohën e zgjedhur për të goditur portën apo për të pasuar te bashkëlojtarët.

