Politik

Bullizmi në Internet: Një Kërcënim për Fëmijët në Epokën Digjitale

Për shumë fëmijë, telefoni është bërë një pjesë e pandashme e përditshmërisë, por gjithashtu një hapësirë ku përballen me bullizëm, përqeshje dhe cenim të privatësisë. Çfarë ndodh kur një fotografi e shpërndarë pa leje apo një koment fyes ndikon në vetëbesimin e një fëmije?

Dhe kush e dëgjon kur bota digjitale kthehet në burim ankthi?

Një njoftim.


- Advertisement -

Një koment.

Një video.

Një tjetër mesazh.

Telefoni dhe interneti tani janë pjesë e përditshmërisë për fëmijët.

Për disa, është mënyra më e lehtë për të komunikuar me familjen dhe shoqërinë.

Për të tjerë, është një mjet për mësim, argëtim dhe lojëra.

Megjithatë, koha që kalojnë para ekranit dhe përmbajtja me të cilën përballen nuk janë gjithmonë ashtu siç e pranojnë. “Ne i përdorim, por jo edhe aq shumë.

Për të kontaktuar me prindërit dhe për detyra.

Telefonin e përdor kur kam nevojë”. “Unë e përdor internetin dhe luaj në qetësi, pa më ngacmuar askush”. “Rreth katër apo pesë orë në ditë, vikendeve pak më shumë.

I përdor për lojëra dhe për mësime.

Edhe për pyetje, e pyes ChatGPT-në”. “Unë flas vetëm me shokët që u besoj.

Më shumë e përdor Snapchat-in për komunikim.

TikTok-un e përdor vetëm për të shikuar video.

Nuk e përdor për bullizëm dhe nuk dua që dikush të më bullizojë mua”. “Unë e kam telefonin me kufizim kohor, prej orës shtatë të mëngjesit deri në nëntë të mbrëmjes.

Pastaj më mbyllen aplikacionet.

Më së shumti që kam qëndruar në telefon ka qenë katër orë”.

Në internet, ku komunikimi ndodh me shpejtësinë e një klikimi, kufiri mes argëtimit dhe lëndimit mund të zhduket shumë shpejt.

Psikologia Tringa Visoka, e angazhuar në shkollën “Asim Vokshi” në Prishtinë dhe në shkollën “Ali Kelmendi” në Barilevë, thotë se në punën e saj të përditshme përballet me raste të bullizmit përmes rrjeteve sociale. “Fëmijët po e përdorin telefonin jashtëzakonisht shumë.

Fatkeqësisht, një pjesë e madhe e tyre nuk kanë kontroll se sa e përdorin telefonin, çfarë shikojnë, në cilat rrjete sociale kyçen dhe me kë komunikojnë.

Disa prej tyre e përdorin internetin edhe për gjëra jo të mira.

Njëra prej tyre është bullizimi”, thotë Visoka.

Krijimi i profileve të rrejshme dhe shpërndarja e fotografive pa leje mund ta cenojnë privatësinë dhe sigurinë emocionale të fëmijëve.

Në disa raste, fotografitë manipulohen dhe përdoren për t’i tallur dhe poshtëruar bashkëmoshatarët.

Në këto situata, nxënësit e prekur kërkojnë ndihmë te mësimdhënësit dhe stafi profesional i shkollës, thotë psikologia Visoka. “Ndihen jashtëzakonisht keq, janë shumë të shqetësuar dhe fillojnë të kenë ankth.

Cenimi i privatësisë është një gjë shumë e keqe edhe për ne të rriturit.

Tani po bëjnë edhe gjëra të tilla, kur marrin vetëm pjesën e fytyrës dhe pjesën tjetër të trupit e kombinojnë me gjëra të pahijshme.

Kështu që fëmijët ndihen shumë keq, përjetojnë ankth dhe kërkojnë që të gjendet një zgjidhje”, thekson psikologia.

Ndryshe nga një konflikt verbal apo fizik që mund të përfundojë kur fëmijët largohen nga shkolla, bullizmi në internet mund t’i ndjekë ata edhe në shtëpi.

Përmbajtjet e shpërndara mund të ruhen, të kopjohen dhe të qarkullojnë sërish.

Kur rastet zbulohen, ndërhyrja bëhet përmes bisedave me fëmijën e prekur dhe me atë që ka ushtruar bullizëm.

Sipas Visokës, synimi është që fëmija të kuptojë pasojat e veprimeve të tij, ndërsa viktima të marrë mbështetje të nevojshme. “Me fëmijën që në këtë rast e bullizon viktimën, bisedoj dhe ia tërheq vërejtjen.

Rastet e tilla ndonjëherë shkojnë në ekstrem, prandaj duhet t’i vendosim kufij fëmijës dhe t’i tregojmë se këto veprime po e dëmtojnë nxënësin tjetër.

Jo me vrazhdësi, por duke e vetëdijesuar.

Në shumë raste, fëmijët i fshijnë fotografitë pasi ndërhyjnë edhe drejtori, sekretari apo pedagogia.

Ndërsa fëmijët që janë viktima mundohem t’i qetësoj dhe t’u them se do ta gjejmë një zgjidhje”, pohon ajo.

Visoka thotë se ndërgjegjësimi për raportimin e rasteve është rritur dhe se mësimdhënësit dhe prindërit po kërkojnë gjithnjë e më shumë ndihmë profesionale. “Mesatarisht, brenda ditës i kam tri deri në katër raste.

Fatmirësisht, është rritur vetëdija për t’i referuar rastet te psikologu.

Mësueset i referojnë, por edhe prindërit e kërkojnë ndihmën e psikologes.

Vitin e kaluar, kur jemi bashkuar me shkollën ‘Zenel Hajdini’, në periudhën e mësimit tërëditor dhe me dy ndërrime, ka pasur ditë kur i kam pasur deri në shtatë raste brenda ditës”, sqaron ajo.

Këto shifra nuk mund të përgjithësohen për të gjitha shkollat e Kosovës.

Megjithatë, ato ngrenë shqetësimin për kapacitetet e sistemit arsimor dhe se sa mbështetje profesionale kanë fëmijët kur përballen me dhunë dhe bullizëm.

Merita Jonuzi, udhëheqëse e Divizionit për Shkencë në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, thotë se në sistemin arsimor janë të punësuar profesionistë të shërbimeve pedagogjike dhe psikologjike.

Sipas saj, është punuar edhe në zhvillimin e kapaciteteve për psikologjinë shkollore.

Burimi origjinal i informacionit: zeri .info


- Advertisement -