Protesta Para Kuvendit të Kosovës për Ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara
Numri i qytetarëve që po protestojnë para Kuvendit të Kosovës është rritur, me pankarta në duar dhe thirrje drejtuar deputetëve për të votuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Protestuesit kanë filluar mbledhjen e tyre para objektit të Kuvendit që nga mbrëmja e së dielës, në kuadër të iniciativës “Jo në emrin tim”, e cila ka kërkuar që deputetët ta miratojnë projektligjin.
Në anën tjetër, Komisioni për Legjislacion ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën, pak para seancës plenare, ai është votuar unanimisht nga anëtarët e Komisionit që ishin të pranishëm.
Për ndryshim të Ligjit kanë votuar 9 deputetë, pa asnjë votë kundër ose abstenim.
Tani pritet që ai të shqyrtohet në parim edhe në seancën plenare.
Pas përfundimit të shqyrtimit në Komision, seanca plenare e Kuvendit të Kosovës pritet të fillojë në ora 09:00, ku ky projektligj do të jetë pika e parë e rendit të ditës.
Po në atë orë, është paralajmëruar edhe protesta e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, e cila kërkon votimin e ndryshimeve ligjore.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

