Shkurte Fejza rikthehet në skenë me ‘Mora Fjalë’ mes polemikave për të drejtat autoriale
Këngëtarja e njohur shqiptare, Shkurte Fejza, ka kapur sërish vëmendjen e mediave ditët e fundit, pas largimit të këngës së saj legjendare “Mora Fjalë” nga platformat muzikore online.
Largimi i këngës lidhet me një kontest për të drejtat autoriale, pasi autori i saj, Naim Gjoshi, përmes përfaqësuesve të tij ligjorë kishte kërkuar heqjen e veprës nga platformat ku ishte publikuar.
Në këtë çështje, pati reagime edhe nga Qazim Beka, këngëtari që e kishte interpretuar fillimisht këngën, e cila më vonë u bë e njohur gjerësisht në versionin e Shkurte Fejzës.
Megjithatë, vetë Shkurte Fejza nuk ka reaguar publikisht lidhur me zhvillimet dhe polemikat që kanë shoqëruar këngën e saj.
Përkundrazi, këngëtarja nga Mushtishti ndodhet aktualisht në New York, ku ka udhëtuar së bashku me familjarët e saj për premierën e filmit “The Journalist Mission”, i cili trajton periudhën e luftës në Kosovë.
Dhe pikërisht në kuadër të kësaj ngjarjeje, Shkurte Fejza ka zgjedhur ta interpretojë para publikut shqiptar në New York këngën “Mora Fjalë”.
Ajo është ngjitur në skenë në ambientet e kinemasë ku u shfaq premiera e filmit dhe ka performuar një prej këngëve më të identifikueshme të repertorit të saj, duke elektrizuar të pranishmit shqiptarë.
Kështu, në një kohë kur “Mora Fjalë” është bërë pjesë e një debati për të drejtat autoriale, Shkurte Fejza ka zgjedhur të mos përfshihet publikisht në polemikat rreth saj.
Burimi origjinal i informacionit: telegrafi .com

