Rreziku i Zgjedhjeve të Reja në Kosovë: Cakolli Paralajmëron Situatën Politike
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka paralajmëruar se ekziston rreziku që Kosova t’u drejtohet sërish kutive të votimit brenda këtij viti, nëse nuk arrihet një konsensus politik për zgjedhjen e presidentit.
Duke folur për zhvillimet politike në vend, Cakolli, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se bazuar në deklarimet dhe sinjalet e para rreth procesimit të disa projektligjeve nga ministritë, ekziston mundësia që zgjedhjet e reja të mbahen në nëntor. “Për fat të keq, bazuar në deklaratat dhe disa sinjale të para sa i përket procesimit të disa projektligjeve nga disa ministri, ekziston rreziku real që edhe njëherë qytetarët e Kosovës t’i drejtohen kutive të votimit gjatë këtij viti, qoftë më 15 nëntor apo më 8 nëntor, varësisht nga caktimi i datës së zgjedhjeve.
Besoj që problemi deri më tani në themel ka qenë politik dhe, si i tillë, meqë nuk është zgjidhur për muaj të tërë, nuk duket se ka pritshmëri që në 10-11 ditët e mbetura të arrihet një konsensus sa i përket çështjes së Presidentit, dhe kjo e bën problematik të gjithë procesin, sidomos në kontekstin në të cilin gjendet Kosova pas verdiktit në Hagë,” u shpreh Cakolli.
Cakolli shprehu skepticizëm se mund të arrihet një marrëveshje në ditët e mbetura, por tha se deputetët dhe subjektet politike duhet të tentojnë të gjejnë një konsensus minimal për të shmangur një situatë ku Kosova mbetet pa institucione funksionale. “Ndonëse jam pesimist se mund të ketë ndonjë marrëveshje në ditët e mbetura, dua të besoj që deputetët e Kuvendit dhe subjektet politike, në veçanti ato parlamentare, do të arrijnë që të paktën në një situatë të tillë të gjejnë një konsensus minimal, që të paktën përtej faktit që do të ishin zgjedhjet e katërta brenda dy viteve, të paktën të mos e lënë vendin pa institucione në periudhën kur më shumë se kurrë kemi nevojë për institucione funksionale që në një situatë të tillë mund të marrin vendime,” u shpreh Cakolli.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

