Rikthimi i Semaforëve të Rinovuar në Prishtinë: Çfarë Po Nënkupton Kjo për Trafikun?
Një ditë pas aktivizimit të semaforëve të rinj në rrugën “Agim Ramadani” në Prishtinë, u panë kolona të gjata automjetesh gjatë ditës së parë.
Kjo ka ngritur shqetësime për funksionimin e disa kryqëzimeve në këtë segment, duke kërkuar një koordinim të plotë të sinjalizimit.
Eksperti i komunikacionit, Prof.
Dr.
Muhamed Krasniqi, shprehet se numri i semaforëve vetë nuk është domosdoshmërisht problem, pasi çdo kryqëzim duhet të vlerësohet sipas funksionit të tij.
Ai thekson se kur disa kryqëzime ndodhen në distanca të shkurtra, koordinimi i tyre bëhet veçanërisht i rëndësishëm. “Nëse semaforët funksionojnë të pavarur nga njëri-tjetri, pa një plan të përbashkët të koordinuar të sinjalizimit, mund të krijohen ndalesa të shpeshta, humbje kohe, rritje e gjatësisë së kolonave dhe, në disa raste, bllokim i kryqëzimit paraprak,” thotë Krasniqi.
Ai shton se para se të vlerësohet nëse katër palë semaforësh në këtë segment janë shumë, duhet të analizohet mënyra se si ata funksionojnë si një sistem i vetëm. “Çështja kryesore duhet të jetë, a funksionojnë këta semaforë në një sistem të koordinuar dhe a është puna e tyre rezultat i matjeve paraprake?” u shpreh ai.
Krasniqi vlerëson se moskoordinimi i semaforëve mund të jetë një prej faktorëve që ndikon në krijimin e kolonave.
Sipas tij, në një rrugë ku disa semaforë janë vendosur pranë njëri-tjetrit, duhet të koordinohen ciklet, kohëzgjatja e fazave dhe diferenca kohore ndërmjet ndezjes së sinjalit të gjelbër në kryqëzimet pasuese.
Qëllimi në këtë rast është krijimi i një “vale të gjelbër”, që do të lejojë automjetet që kalojnë një kryqëzim me dritë të gjelbër, duke lëvizur me shpejtësinë e përcaktuar, të arrijnë në kryqëzimin pasues gjatë intervalit të gjelbër. “Nëse një grup automjetesh lirohet nga semafori i parë dhe menjëherë ndalet në të kuqe te semafori i dytë, ndërsa situata përsëritet edhe në kryqëzimet tjera, kapaciteti i gjithë korridorit zvogëlohet dhe kolonat mund të barten nga një kryqëzim në tjetrin,” tha ai.
Eksperti vlerëson se kolonat e vërejtura në ditën e parë duhet të shërbejnë si bazë për monitorim dhe analizë të mëtejshme. “Nevojiten matje të vëllimit të trafikut, gjatësisë së kolonave, kohës së pritjes dhe funksionimit të cikleve gjatë orëve kulmore,” deklaroi Krasniqi.
Ai theksoi se, nëse këto të dhëna tregojnë vonesa të panevojshme, duhet të bëhet optimizimi dhe sinkronizimi i kryqëzimeve si një korridor i vetëm, e jo që secili semafor të trajtohet i izoluar nga të tjerët.
Ndërkohë, Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sinjalizimi i ri ende është duke u testuar.
Drejtori i Mobilitetit në Komunën e Prishtinës, Pëllumb Bajqinovci, tha se ekipet komunale janë të angazhuara në testimet në dy udhëkryqet që lidhin rrugën “Agim Ramadani” me rrugët “Qamil Hoxha”, “Rrustem Statovci” dhe në pjesën e poshtme me rrugën “Bajram Kelmendi”. “Sot (23 shtator) në rrugën ‘Agim Ramadani’ jemi duke testuar sinjalizimin e ri semaforik në dy udhëkryqet që e lidhin rrugën ‘Agim Ramadani’ me ‘Qamil Hoxha’, me ‘Rrustem Statovcin’, si dhe në pjesën e poshtme me rrugën ‘Bajram Kelmendi’,” tha Bajqinovci.
Ai theksoi se aktualisht po bëhen përgatitjet finale para lëshimit përfundimtar të sistemit. “Po themi se jemi në fazën testuese edhe në pyetjet e mediave se a e kanë rënduar komunikacionin.
Sigurisht se jemi duke bërë ato përgatitjet finale para paralëshimit final të këtij sinjalizimi,” u shpreh ai.
Bajqinovci gjithashtu njoftoi se është duke u përfunduar infrastruktura që ndërlidh rrugët me “Agim Ramadanin”, ndërsa është ndryshuar edhe qasja e vendkalimeve për këmbësorë. “Sigurisht se jemi duke përfunduar edhe pjesën finale të infrastrukturës që i ndërlidh rrugët me ‘Agim Ramadani’.
Andaj, kemi ndryshuar edhe qasjen e vendkalimeve dhe sigurisht se në të ardhmen do të jenë më të sigurta për këmbësorët,” tha ai.
Semaforët e rinj në këtë pjesë të rrugës u lëshuan në qarkullim më 23 shtator, pas disa muajsh punë dhe testimesh.
Në ditën e parë të funksionalizimit, u vërejtën kolona të automjeteve, ndërsa në disa prej semaforëve pritja në të kuqe ishte rreth 90 sekonda, përballë rreth 30 sekondave të dritës së gjelbër – situatë kjo që ka vazhduar edhe sot (24 shtator 2026).
Tashmë mbetet që pas përfundimit të fazës testuese të shihet nëse parametrat e sinjalizimit do të përshtaten në bazë të të dhënave të trafikut dhe nëse funksionimi i kryqëzimeve do të mundësojë rrjedhje më të mirë të komunikacionit në këtë aks të Prishtinës.
Burimi origjinal i informacionit: zeri .info

